KESH fillon eksportin e energjisë

04/02/2015 00:00

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka nisur eksportin e energjisë
elektrike. Burime nga kjo Korporatë thanë për Top Channel se eksporti ka
filluar mesnatën e së martës dhe aktualisht KESH po shet 220 mega
energji për orë.

Sipas KESH në ankandin e e mbyllur të martën, është kontraktuar shitja e kësaj sasie energjie për dy javët e ardhshme me një çmim mesatar prej 38.5 euro për megavat.

Kjo do të thotë se në total, për dy javët e ardhshme KESH ka kontraktuar shitjen e 2.5 milionë euro energji elektrike. Drejtuesit e Korporatës thonë se pas përfundimit të kësaj sasie të kontraktuar, KESH mund të shesë sërish energji, por ky vendim do të merret duke para gjendjen e rezervave hidrike në kaskadë.

KESH vendosi të nis eksportin e energjisë pas kërkesës nga sekretari teknik i digave. Reshjet masive të ditëve të fundit kanë shtuar prurjet në kaskadë duke rritur nivelin e liqeneve. Për të mos rrezikuar një situatë përmytje, sekretariati i kërkoi KESH që të rrisë prodhimin e energjisë dhe sasinë që tepron nga konsumi vendas ta shesë jashtë.

Sipas të dhënave më të fundit, me nisjen e eksporteve KESH e ka stabilizuar kuotën ujit në liqenin e Fierzës rreth nivelit 290 metër, aq sa i ishte kërkuar nga sekretariati. Aktualisht prurjet në basen janë 500 metër kub në sekondë dhe drejtuesit thonë se nëse ato do të rriten sërish, Korporata mund të rrisë më tej prodhimin për të mos tejkaluar kuotën 291 metër.  

Top Channel