Hapet konkurrenca në tregun e naftës

02/02/2015 00:00

Ministria e Financave ka shfuqizuar udhëzimin e shumëpërfolur me numër
17, i cili përcaktonte skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, por edhe
vendosjen e çmimit në tregun e karburanteve.

Në udhëzimin shoqërues të ligjit të ri për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Ministria e Financave ka vendosur të hapë tregun duke ja hequr të drejtën importuesve të mëdhenj që të diktojnë çmimet fundore të karburanteve edhe për pikat me pakicë.  

Udhëzimi nr 17 u vendos në vitin 2008, nga Qeveria e mëparshme, sipas saj për të shmangur evazionin në tregun e karburanteve, por edhe për të lehtësuar mbledhjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Por kjo skemë krijoi një situatë të pastër oligopoli duke kufizuar konkurrencën, pasi cmimin final në treg e përcaktonin vetëm një grusht i vogël kompanish importuese. Ndërsa pikat me pakicë praktikisht nuk konkurronin, pasi ishin të detyruara të shisnin me cmimet e diktuara nga importuesit.

Debati për këtë udhëzim u nxeh veçanërisht muajt e fundit, kur çmimet e karburanteve në tregun e brendshëm nuk po reflektonin të plotë uljen në bursë. Sipas ekspertëve, veç taksave të larta, shkaku i dytë më i madh se pse qytetarët shqiptarë nuk po përfitonin nga rënia e cmimit të naftës ishte pikërisht udhëzimi i vitit 2008, që kishte krijuar një situatë oligopoli në treg.
 
Me shfuqizimin e tij, Ministria e Financave u heq importuesve të mëdhenj të drejtën që të vendosin çmimin final të karburantit në treg, i cili tashmë do të përcaktohet përmes konkurrencës mes pikave të pakicës.

Top Channel