Rama: Me Parisin për lirinë, barazinë, vëllazërimin

11/01/2015 00:00

Me një foto simbolike të lapsave disangjyrësh për lirinë e shprehjes dhe fjalës, kryeministri Edi Rama ka njoftuar praninë në Paris në Marshimin e Unitetit në kryeqytetin francez.

Kryeministri eshtë i shoqëruar në këtë udhëtim nga ministrat Ditmir Bushati dhe Erjon Veliaj, por edhe katër krerët e komuniteteve të besimeve fetare në vendin tonë, duke çuar në Francë vlerën e çmuar shqiptare të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare.

Kreu i qeverisë sonë i është bashkuar homologëve të tij të vendeve të Perëndimit në marshimin që është organizuar si kundërpërgjigje ndaj akteve të terrorit të pak ditëve më parë, në zemër të vendit të shquar për vlerësimin dhe promovimin e lirisë, Francë.

Kryeministri fton të gjithë shqiptarët, kudo që janë, të cilët në pamundësi të të qenit fizikisht me të gjithë të mbledhurit në Paris, mes të cilëve edhe udhëheqës botërorë, të bëhen pjesë e solidarizimit me anë të një klikimi në marshimin virtual të krijuar në Avaaz.org. Ja dhe postimi i plotë i kryeministrit Rama:

Qindra-mijëra do të marshojnë sot në rrugët e Parisit për të mbështetur vlerat e shkëlqyera të lirisë, barazisë, vëllazërimit – ti mund të jesh me ta atje, përmes rrjetit botëror të solidaritetit online.

Mbarë bota do të shohë se si njerëzit do të dalin në rrugë në përgjigje të vrasjes barbare të 12 njerëzve të mërkurën e shkuar. Por ndërkohë, ekstremistët e djathtë europianë po mobilizohen gjithashtu në antiprotesta dhe tanimë dy mjedise besimi të muslimanëve janë sulmuar. Kjo është ekzaktësisht çka vrasësit kërkuan: Përçarje dhe Frikë!

Sot ne mund t’u tregojmë të gjithë nxitësve të përçarjes e të frikës se qytetarët, kudo që janë, mbështesin vlerat e lirisë së shprehjes, barazisë mes njerëzve dhe vëllazërisë mes individëve të çdo besimi.

Me një klikim, bëhu edhe ti pjesë e nismës globale për t’u bashkuar në marshimin e botës së lirë, kundër barbarisë së atyre që vrasin në emër të fesë dhe ekstremizmit të kujtdo, që kërkon të na përçaje duke kallur frikën mes nesh.

Ky është një ndër ato momente historike kur cilido prej nesh, që beson te toleranca dhe liria e shprehjes, mund të ngrejë dorën apo zërin e vet për të ndalur, që pasojat e dhunës të kërcënojnë të gjitha liritë tona. Sot në Paris do të jenë edhe plot udhëheqës europianë, sepse ky moment nuk është vetëm i Francës, po i mbarë Europës.

Shumë prej nesh i kanë konsideruar karikaturat e “Charlie Hebdo”-së si fyese, raciste apo qëllimisht provokuese. Së bashku me profetin Muhamet, “Charlie” ka shënjestruar edhe Jezu Krishtin, Papën, emigrantët, çifutët, murgeshat e plot akoma. Por liria e shprehjes është kollaj të mbështetet deri në çastin kur na kërkohet të ngrihemi në këmbë, për të mos lejuar shtypjen e shprehjes së lirë që nuk na vjen për shtat.

Pikërisht në vlerën e këtij çasti qëndron edhe vlera e pakufishme e lirisë në botën që kemi zgjedhur, botën e lirë. Sot, duke u bërë pjesë e marshimit të Parisit përmes një klikimi, ti ndihmon që ky mesazh themelor për ekzistencën e botës së lirë të përcillet qartë si një mesazh uniteti global.

Është koha e një zgjedhjeje të qartë mes urrejtjes përçarëse dhe unitetit për lirinë, barazinë, vëllazërimin. Ky është momenti ynë për t’u përgjigjur në emër të shpresës dhe bashkëpunimit mes njerëzve mbi këto vlera të shkëlqyera e të panegociueshme.

Top Channel