PD: Edi Rama dhe Saimir Tahiri rreziku më i madh për rendin

11/01/2015 00:00

Pas deklaratës së ministrit Tahiri, ka reaguar Partia Demokratike me anë të një njoftimi për shtyp.

PD shprehet se “rrezik për rendin është ortaku, shoqëruesi, drekuesi e darkuesi, madje shpesh edhe shoferi i Emiliano Shullazit, Saimir Tahiri. Rrezik për rendin është kur oficeri i forcave speciale bëhet pjesë e bandës dhe përplasjes së përgjakshme në mes të Tiranës. Emërimi ne krye të SHKB të diplomatit të larguari nga Italia për trafik droge, është rrezik për rendin. Hapja e dyerve të parlamentit për deputetë të lidhur me krimin e trafiqet, është rrezik për rendin”,  thuhet në reagimin e PD-së.

Në fund të njoftimit Partia Demokratike shprehet se dështimi monumental i qeverisë me rendin dhe sigurinë publike, shfrytëzimi i Policisë për urdhra politike e propagandë, është rrezik për rendin.

“Por kanosja me e madhe që i behet rendit është Edi Rama dhe rruga që i ka hapur ai krimit, e bashkëqeverisja me të. Ai është rreziku më i madh, që qytetarët duhet të denoncojnë”, mbyllet reagimi i PD.

Top Channel