Akreditimi i universiteteve, procesi brenda këtij 6-mujori

10/01/2015 00:00

Në 6-mujorin e parë të këtij viti, të 32 institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat do të vlerësohen nga agjencia britanike e cila është përzgjedhur nga Ministria e Arsimit për të kryer akreditimin.

Zëvendësministri i Arsimit, Arbjan Mazniku ka deklaruar se aktualisht po punohet për hartimin e një manuali mbi të cilin do të bëhet ky vlerësim.

“Grupet vlerësuese, të përbëra nga ekspertë të agjencisë britanike, do të shkojnë në institucionet e arsimit të lartë për të kryer vlerësimin, që do të kulmojë me raportin përfundimtar mbi secilin prej tyre. Rezultatet do të shpallen në korrik, pa filluar viti tjetër akademik, në mënyrë që njerëzit kur të bëjnë zgjedhjet e tyre për vijimin e shkollës t’i kenë më të qarta informacionet”, ka thënë Mazniku.

Institucionet e arsimit të lartë do të vlerësohen për disa kritere bazë që lidhen ngushtë me cilësinë e programeve, por edhe të stafit pedagogjik.

“Disa nga parametrat kyçe kanë të bëjnë me cilësinë e stafit akademik, raportin e stafit akademik me studentët, me cilësinë e sipërfaqes, sasinë e sipërfaqes, por edhe me parametra të tjerë si laboratorët, proceset mësimdhënëse, informacionin që u jepet studentëve për të kuptuar se si funksionon institucioni, etj”, ka sqaruar Mazniku.

Institucionet e arsimit të larte publik prej vitesh vuajnë nga mungesa e hapësirave, një nga kriteret kryesore të vlerësimit. Ministria e Arsimit po punon për konkretizimin e projektit për ngritjen e korpusit universitar, i cili ka një kosto prej miliona eurosh.

Top Channel