Ulet çmimi i materialeve mjekësore, pas heqjes së TVSH-së

09/01/2015 00:00

Pacientët me probleme të zemrës, veshkave, syrit, apo probleme neurokirurgjikale dhe ortopedike, që kanë nevojë të vendosin materiale mjekësore të implantueshme, do të mund t’i marrin ato me një çmim më të lirë. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, deklaron se nga 1 janari i këtij viti ka hyrë në fuqi ligji për heqjen e TVSH-së në masën 20% për këto pajisje.

“Që nga 1 janari, ne kemi pajisje mjekësore që vendosen në trupin e njeriut, të cilat nuk do të paguajnë më TVSH-në prej 20%, ku bëjnë pjesë gruppajisjet për sëmundjet e zemrës, ato të syrit, por edhe disa pajisje të tjera. Kjo është një ndihmë për të ulur kostot e shërbimit shëndetësor në vend”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Efekti i heqjes së TVSH-së do të jetë i ndjeshëm për pacientët – sqaron ministri Beqaj – pasi ka pajisje, që me anë të ndërhyrjes kirurgjikale vendosen në organizmin e njeriut për të rregulluar funksionin e një organi (për zemrën për shembull është pacemakeri, apo protezat ortopedike që vendosen për zëvendësimin e gjymtyrëve), të cilat kushtojnë shtrenjtë.

“Padyshim që përfituesi kryesor është pacienti. Ai që importon nuk do të paguajë 20 përqindëshin e TVSH-së, e për rrjedhojë kjo kosto më e paktë e kësaj pajisjeje do të pasqyrohet në koston që pacienti do të paguajë për këtë shërbim. Sepse për të gjithë pacientët që përfitojnë nga këto shërbime, pjesën kryesore të kostos e zë vetë pajisja. Një protezë ortopedike gjuri, kërciri apo e legenit, një lente e syrit, një pacemaker, apo një protezë tjetër neurokirurgjike, do të kushtojnë 20 përqind më pak nga ç’ka kushtuar deri më sot”, shpjegoi më tej ministri Beqaj.

Një aparaturë pacemakeri në spitalet private varion sipas llojit, nga 2500 në 30 mijë euro. Ndërkohë që në Shërbimin e Kardiologjisë në QSUT vendosen mesatarisht 250 të tilla në vit, por pajisja ofrohet falas. Ndërsa lente syri në një vit janë vendosur për rreth 2900 pacientë.

Nga heqja e TVSH-së do të përjashtohen edhe stimulatorë nervorë të implantueshëm, stimulatore të fshikëzës së urinës, stimulatorë të diafragmës dhe implante dentare.

Top Channel