Brenda janarit, emërimi i mësuesve të testuar. Më të mirët zgjedhin vetë shkollën

09/01/2015 00:00

Brenda janarit do të përfundojë procesi i emërimit të 2080 mësuesve në arsimin parauniversitar dhe mbyllja e kontratës me mësuesit, të cilët janë pa arsimin përkatës.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, tha se mësuesit – të cilët janë renditur sipas pikëve që kanë marrë në testim, sipas qyteteve – kanë të drejtë të zgjedhin shkollën ku ata duan të japin mësim.

“Në një qytet të caktuar, ku mund të jenë tre vende të lira për mësues në një profil të caktuar, do të klikohet në renditjen përkatëse të asaj Drejtorie Rajonale Arsimore dhe ftohet i pari sipas meritës, të zgjedhë preferencën e tij se në cilën shkollë dëshiron të punojë. Më pas komandohet në shkollën e caktuar, sepse siç e kemi thënë jemi në kushtet e emergjencës dhe duam një orë e më parë të çojmë te fëmijët mësuesin me arsimin përkatës dhe brenda profilit, e më tej në respekt të ligjit ai kthehet në mësues definitiv”, shpjegon ministrja Lindita Nikolla.

Emërimet politike dhe korruptive janë evidentuar edhe te drejtorët e shkollave. Ndaj, Ministria po punon që edhe drejtorët e shkollave të kenë një tjetër kualifikim, e në bazë të një testimi të kryhet emërimi i tyre.

“Në bashkëpunim me fakultetet e edukimit, ne po hartojmë të gjithë programin e punës për shkollën, për të qenë drejtues dhe menaxherë të arsimit parauniversitar, në mënyrë që t’iu japim mundësinë e kualifikimit jo vetëm drejtorëve aktualë që janë nëpër shkolla, por edhe atyre që aspirojnë për të qenë drejtues shkollash, në mënyrë që vetëm nga kjo bashkësi e çertifikuar nga kjo shkollë të bëhet e mundur përzgjedhja”, deklaroi më tej ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nikolla.

Ministrja e Arsimit tha se për vite të tëra, një në katër nxënës ka pasur si mësues, qytetarë pa arsimin e duhur, ose mësues jashtë profilit. Të paktën 50% e rreth 2 mijë mësuesve, të cilët rezultuan jashtë profilit, janë çuar në shkolla ku japin mësim për degën ku kanë përfunduar studimet.

Top Channel