Testim profesional për mjekët dhe infermierët. Më pas program për aftësimin

08/01/2015 00:00

Në muajin shkurt, mjekë, infermierë dhe laborantë do t’i nënshtrohen një testimi për shkallën e profesionalizmit. Ministria e Shëndetësisë dhe Universiteti i Mjekësisë do të hartojnë një program të edukimit në vazhdim, bazuar në njohuritë e mjekëve dhe infermierëve, që do të dalin nga ky testim.

“Ne duhet të dimë se ku do të shkojmë dhe përpara se ta dimë këtë, duhet të dimë se ku jemi. Për të bërë këtë, duhet bërë një lloj testimi, i cili natyrisht nuk do të ketë qëllimin për të diferencuar shumë njerëz, por do të ketë qëllimin e fotografimit. Duke ditur se ku e kemi nivelin e mjekëve, që përballen me problemet e jetës së përditshme, do të dimë edhe se ku do të shkojmë. Kjo, sepse që të ndërtosh një program edukimi në vazhdim, duhet të nisesh nga një bazë dhe pastaj të kuptosh problemin se deri ku ai shkon. Do të ishte mirë që të fillonte një program testimi për mjekët në të gjitha nivelet”, tha Mira Rakacolli, dekane e Fakultetit të Mjekësisë.

“Performanca e mjekëve dhe infermierëve mund të rritet vetëm në sajë të përditësimit të njohurive që ata marrin. Duke e ballafaquar me eksperiencën e vendit tonë, por dhe me eksperiencat ndërkombëtare. Është e pamundur që të rritet performanca e ndikimit të të sëmurëve, pa përditësuar njohuritë moderne e bashkëkohore”, tha Ali Refatllari, rektor i Universitetit të Mjekësisë.

Ministri i Shëndetësisë tha se nga një trajnim që po i bëhet mjekëve dhe infermierëve janë vënë re mangësira të theksuara.

“Po përfundojmë procesin e trajnimit të 1400 mjekëve dhe 5600 infermierëve për programin e kontrollit bazë. Aty kemi zbuluar që ka boshllëqe edhe më bazike në njohuri, ndaj na duhet një fotografim i situatës që është sot, si për mjekët edhe për infermierët. Me këta të fundit do ta fillojmë nga QSUT dhe pastaj do zbresim nëpër spitale dhe parësore. Ndërsa me mjekët do ta fillojmë nga Qendrat Shëndetësore, pra mjekët bazë, deri sa të vijmë drejt majës së piramidës. Tek infermierët do të testojmë fillimisht njohuritë bazë, por jo vetëm pjesën profesionale, pasi është shumë e rëndësishme edhe pjesa e komunikimit dhe etikës”, u shpreh ministri Ilir Beqaj.

Janë gjithsej 3720 mjekë dhe rreth 13 mijë infermierë e laborantë, që do t’i nënshtrohen testimit që do të zhvillohet nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Profesoriatin e Mjekësisë.

Top Channel