Skandali, punonjësit të deklaruar por sigurimet nuk u janë paguar

05/01/2015 00:00

Mijëra subjekte private dhe shtetërore, të cilat i kanë deklaruar punonjësit, por nuk u kanë paguar kontributet pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore gjatë 20 viteve të fundit, i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 100 milionë dollarësh.

Qeveria do të nisë inspektimet dhe të parët do të jenë strukturat shtetërore.

“Pjesa dërrmuese e ndërmarrjeve që i kanë borxh ISSH-së, pra që kanë deklaruar punëtorët e tyre por nuk u kanë paguar sigurimet, janë subjekte private. Por, ajo çka është më shqetësuese është se ka edhe institucione shtetërore, qofshin këto të pushtetit lokal apo pushtetit qendror, të cilat kanë borxhe në ISSH. Sigurisht, aksioni që do të nisë shumë shpejt në radhë të parë do të mbledhë kontributet e mbetura borxh në institucionet shtetërore, e pastaj edhe në ato private”, shprehet Enkelejd Musabelliu, këshilltar i ministrit të Mirëqenies Sociale.

Skema e re e pensioneve nuk prek formulën e përllogaritjes së pensioneve. Këshilltari i ministrit të Mirëqenies Sociale, Enkelejd Musabelliu, sqaron se formula mbetet e njëjtë: 24% e pagës shkon për kontribute shoqërore, ku 15% i paguan punëdhënësi dhe 9.5%  i punësuari.

“Norma e kontributit nuk ndryshon dhe mënyra e mbledhjes dhe llogaritjes së tij nuk ndryshon, këto janë të njëjta. Ajo që ndryshon është vetëm formula e përllogaritjes së përfitimeve. Heqja e këtyre dy tavaneve do të bëjë që individët me paga 38 mijë lekë deri në 95 mijë lekë të kenë një rritje të ndjeshme në masën e pensioneve të tyre mujor”, shpjegoi Enkelejd Musabelliu.

Çdo vit nga buxheti i shtetit hiqen 450 milionë dollarë, të cilat shkojnë për kompesimin e defiçitit në skemën e pensioneve. Gjatë 2014 u arrit që vlera e pagesave të kontributeve të rritet me 30 milionë dollarë.

Top Channel