A besojnë fëmijët te Babagjyshi?

24/12/2014 00:00

Festat e fundvitit janë periudha më e pasur me magji dhe iluzione edhe për të rriturit, jo më për të vegjëlit! Megjithëse mund të na duket e vështirë për ta kuptuar, fëmijët i besojnë vertet plakut topolak me mjekër të bardhë që u sjell dhurata.

Në famije, në shkolla dhe në kopshte të gjithë kujdesen qe kjo magji të funksionojë.

Një mësuese shpjegon: “Babagjyshi është një nga personazhet më të dashura të fëmijëve. Në periudhën e fundvitit sjell shumë gëzim te fëmijët. Festat janë shumë të rëndësishme pasi transmetojnë te fëmijët shumë ngrohtësi emotive.”

Ata më të rriturit sigurisht që kanë argumenta për të besuar ekzistencën e Babagjyshit. Anxhelo është nëntë vjeç dhe beson në shkencë: “I besoj Babagjyshit. Është parë një objekt i paidentifikuar në vitin 150 për Krishtlindje. Unë i besoj shkencës dhe prandaj i besoj edhe Babagjyshit.”

Shumë fëmijë tregojnë madje dhe se e kanë parë Babagjyshin edhe pse s’kanë mundur ta  takojnë: “Vjen nga Poli i Veriut dhe na sjell dhuratat me thes. E kam parë një herë nga ballkoni.”

Anxhelo e shpjegon shkencërisht se si Babagjyshi e merr letrën e tij të varur tek pema e Krishtlindjes: “Ai e merr letrën me teletransportim. Teletransportimi ka shpejtësinë e dritës. Edhe dhuratat i sjell me të njëjtën mënyrë, e lë poshtë pemës.”

Por a duhet t’i lejojmë fëmijët të besojnë te kjo magji? “Të pyesësh pse i duan përrallat është njësoj sikur të pyesësh pse janë fëmijë”, përgjigjet mësuesja.

Duam apo s’duam që fëmijët të besojnë te Babagjyshi, e rëndësishme është që të kujdesemi për ndjenjat e fëmijëve dhe të gjejmë mënyra për të thënë të vërtetën në momentin e duhur. Pasi vogëlushët besojnë vërtetë.

Top Channel