FMN jep shifrat për Shqipërinë, ja sa pritet të rritet ekonomia dhe në çfarë niveli parashikohet të jetë inflacioni Produktet shqiptare bio po zënë vend në tregjet elitare të Bashkimit Europian. Vaji i ullirit, që prodhohet nga ulliri i bardhë në fabrikën e sipërmarrëses Shpresa Shkalla, në periferi të Tiranës, eksportohet sot në tregjet e Zvicrës, duke lënë pas vajin e ullirit italian apo atë spanjoll.
“Në vitet e para të punës kemi filluar të prodhojmë vaj bio nëpërmjet një projekti zvicerian, e më pas nisëm edhe eksportet në Zvicër, ku eksportojmë prej 10 vitesh, pasi është një treg shumë i rregullt”, tha Shpresa Shkalla, prodhuese e vajit të ullirit.
Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, vlerësoi arritjet e një gruaje sipërmarrëse, por nga ana tjetër theksoi se standardet e produkteve shqiptare janë kusht për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Standardi i produkteve shqiptare do të jetë shumë shpejt edhe një nga kushtet ndaj Shqipërisë për hyrjen e vendit tonë në Bashkimin Europian, për hapjen e negociatave, ku mund t’iu them me bindje të plotë se bujqësia do të zërë plot 65% të negociatave që do të ketë Shqipëria. Produktet shqiptare do të jenë ato që do të vendosen përpara një konkurrueshmërie shumë të madhe me tregun e Bashkimit Europian. Pikërisht kjo fabrikë i ka arritur të gjitha këto standarde, është e çertifikuar dhe sot konkurron më të rëndësishme dhe më të suksesshme të vendeve të Bashkimit Europian”, u shpreh ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha.
Ndërsa ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, vlerësoi cilësinë e vajit të ullirit, prodhuar nga kjo fabrikë.
“Bart mbiemrin Shkalla, që është edhe shkalla jonë drejt Europës, për arsye se këtu ne kemi një sipërmarrje, e cila plotëson rigorozisht standardet më të larta të cilësisë dhe sigurisë së ushqimit. Është vërtet një vitrinë e standardeve më të larta, duke filluar nga procesi i grumbullimit të ullirit, i pastrimit, i klasifikimit, i teknologjisë së përpunimit dhe i prodhimit të një vaji elitar”, deklaroi ministri Edmond Panariti.
Të dy ministrat u bëjnë thirrje prodhuesve, që të rrisin cilësinë e produkteve shqiptare bio, me qëllim që të bëhen pjesë e tregjeve europiane.
Top Channel