Linja Shqipëri-Kosovë, Gjiknuri inspekton punimet: Investim strategjik

13/12/2014 00:00

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit Ëngjëll Zeqo, inspektuan të shtunën në qarkun e Lezhës punimet në kuadër të projektit të Linjës së Transmetimit 400 KW, Shqipëri-Kosovë.

Ministri Gjiknuri deklaroi se ky investim mund të cilësohet ndër më strategjikët për vendin.

“Linja është shumë e rëndësishme sepse do të lidhë dy vendet dhe përmirëson sigurinë e energjisë, sigurinë në furnizimim dhe është një investim strategjik nisur nga fakti se Shqipëria dhe Kosova do të bëhen një rrjet i përbashkët energjitik. Ky është një investim serioz me fondet e KFV dhe garanci të qeverisë shqiptare, me vlerë 28 milionë euro. Ne parashikojmë që në pranverën e 2016-s kjo linjë të jetë funksionale, që do të thotë më shumë furnizim për konsumatorin dhe më shumë tregti për biznesin. Siç dihet, aktualisht kemi në fazën më intensive për investime në këtë sektor”, deklaroi Gjiknuri.

Ndërsa kreu i OST-së, Ëngjëll Zeqo bëri me dije se, “nga janari do fillojë puna për seksionin e ri të linjës, atë që ka të bëjë me shtrirjen e përcjellësit dhe ndërtimin e shtyllave”.

Projekti vlen 28 milionë euro dhe për vite të tëra u bë pjesë e debatit mes pozitës dhe opozitës. Gjatë qeverisë së kryeministrit Berisha projekti u zvarrit dhe opozita e atëhershme, tashmë në mazhorancë, akuzonte qeverine se zvarritja bëhej qëllimisht për të mos lidhur sistemet energjitike të Shqipërisë e Kosovës, të cilat kanë burime energjitike të ndryshme.

Top Channel