Kur problemi është opozita!

13/12/2014 00:00

Nga Andrea Stefani – Jemi gati të bëjmë gjithçka që opozita të kthehet në Parlament! Ky ka qenë mesazhi që Kryeministri Rama i ka dërguar PD dhe aleatëve të saj, më saktë Berishës dhe Bashës, që prej rreth gjashtë muajsh po bojkotojnë punimet e Kuvendit. Por, pavarësisht këtij vullneti të mirë, ka një drojë të madhe se 2B-shi BashBerisha, do atë që Kryeministri nuk mundet t’ua japë. Sepse ata duan thjesht pushtetin e humbur më 23 qershor. Madje sa më shpejt. Mundësisht nesër. Klasikisht thuhet se qeveria është problemi. Por në histori ka pasur raste kur problemi më i madh rrinte i fshehur në opozitë. Si në kohën e opozitës hitleriane në Gjermani. Është lehtësisht e dallueshme se Shqipëria është në një moment të historisë së saj, kur problemin më të madh e ka në opozitë. Më saktë në atë pjesë të saj që i përket berishizmit. Sepse atje rri i strehuar antishteti!

***
Kryeministri Rama është i gatshëm të ofrojë gjithçka që i duhet një opozite normale. Por, për fat të keq, opozita e çiftit Berisha-Basha është një opozitë jo normale. Ajo vuan nga një neurozë e fortë që i ka rrënjët te frika dhe ankthi i të mbeturit pa mburojën që ka pasur tetë vjet me radhë, pushtetin. E kanë përdorur pushtetin jo vetëm për të zhvilluar korrupsionin më galopant, më kriminal dhe më të përgjakshëm në vitet e tranzicionit, duke u pasuruar në mënyrë përrallore, por edhe për të penguar drejtësinë publike që të ndëshkojë këtë korrupsion. Presionet mbi pushtetin e drejtësisë, si dhe praktikat autokratike të kapjes së saj, janë tashmë tipare proverbiale të autokratizmit berishist. Dhe tashmë, të mbetur pa pushtet, pra mburojën e tyre të vetme, janë vënë në kërkim të ankthshëm të pushtetit. Te ky ankth e kanë zanafillën edhe kërcënimet që, ndërsa i kërkojnë qeverisë Rama largimin, përmbyllen me një retiçencë që nënkupton deri edhe përmbysjen me dhunë. Berisha ka qenë kurdoherë mjeshtër që të thotë gjëra me frymë pa përdorur fjalë, gjëra që kuptohen edhe pse s’thuhen, që bëhen edhe pse nuk urdhërohen, gjëra të rënda për shtetin, në fakt krime kundër tij, por për të cilat mund të lash duart duke fajësuar si Pilati turmat “që dolën nga kontrolli”. Si në 14 shtator 1998.

***

Por pushteti i çiftit Berisha-Basha ka pasur edhe një tjetër tipar të qenësishëm. Ka qenë pushteti më antishtet i viteve të tranzicionit. Jo se pushtetet apo qeveritë e tjera kanë qenë engjëllore, por ai pushtet që po flasim, e ka sakrifikuar, për interesat e tij, shtetin në mënyrën më shembullore të mundshme. Në fakt, sakrifikimi i legalitetit për hatër të ilegalitetit ka qenë një tipar i hershëm i berishizmit. Ai mbiu që në fillim të tranzicionit, kur për hatër të qëndrimit sa më gjatë në pushtet, jo me arritje shtetërore, por me truke populiste, u toleruan piramidat financiare (ju kujtohet parulla me aq kopillik: Me ne fitojnë të gjithë?) apo edhe kontrabanda e naftës me Malin e Zi. Por në qeverisjen Berisha-Basha, prirja e sakrifikimit të shtetit për hir të pushtetit arriti apogjeun e vet. Tek ajo prirje barbare e kanë rrënjën të gjitha plagët e sotme të shtetit, tolerimi i kultivimit të drogës, i ndërtimeve pa leje, i mospagimit të energjisë elektrike, krijimi nga qeveria i borxheve qindramilionëshe te biznesi privat, tolerimi i shfarosjes së pyjeve dhe i gërryerjes së lumenjve. Lista e antishtetit është shumë e gjatë dhe mbulon gjithë shtetin. Por plaga më e madhe e kësaj politike (nëse mund të quhet politikë një orgji e tillë në qeverisje) nuk është rrënimi i mjedisit urban apo mjedisor. As rrënimi i buxhetit publik. Plaga më e madhe, më kronikja dhe më vështirë e kurueshmja, është përhapja në shtresa të gjera të popullsisë e psikologjisë së antishtetit, si prirje absurde për të mos paguar energjinë apo për të ndërtuar pa leje apo për të prerë barbarisht pyje e për të gërryer lumenj.

***

Dhe tani që kanë rënë nga pushteti po bëjnë gjithçka të kthehen sa më shpejt në pushtet, duke shfrytëzuar të gjitha gërmadhat që gërmuan dhe pasionet antishtet që ushqyen në 8 vitet që ishin në qeveri. I bëjnë thirrje për protesta, deri në përmbysjen e qeverisë, të gjithë turmave që janë të zemëruara ngaqë qeveria u kërkon të paguajnë energjinë elektrike. Edhe atyre që i bashkon me turmën antishtet, mllefi ndaj qeverisë që po ju prish apo po ju shkurton ndërtimet pa leje që kanë gllabëruar deri trotuaret e qyteteve. Shkurt i bëjnë thirrje traditës së antishtetit, që vetë e kanë krijuar, të ngrihet në protesta kundër një qeverie që sapo ka mbushur një vit qeverisje efektive. E përdorën pushtetin për 8 vjet për të sakrifikuar shtetin. Fakt për këtë është gjendja e mjeruar e shtetit shqiptar. Dhe sot po bëjnë të njëjtën gjë, po përdorin opozitën për të penguar ringritjen e shtetit duke u qarë hallin atyre që ju prishet ndërtimi pa leje se qenkan në proces legalizimi apo familjeve të varfra që nuk kanë të paguajnë energjinë.

Dhe ndërsa nxjerrin varfërinë si “arsye” të mospagimit të energjisë (veçanërisht mendjeshkurtri Basha) harrojnë mburrjet e tyre të deridjeshme për reduktimin e varfërisë mes familjeve shqiptare. Po si mund të akuzosh për mjerimin e akumuluar në 8 vjet një qeveri që ka vetëm një vit? Këtë gjë mund ta bëjë vetëm një opozitë që është aq e ankthshme të kthehet në pushtet sa përdor për këtë qëllim edhe zemërimin e mjerimit që vetë ka shkaktuar. Prandaj është një opozitë jo normale. Një nga ato opozita të rralla që janë më problematike se qeveria, sepse përfaqësojnë antishtetin. Prandaj është jo vetëm e vështirë, por edhe absurde t’i mbështesësh edhe sipas aksiomës konservatore “qeveria është problemi”. Janë aq absurd në protestat dhe arrogancën e tyre, sa ngjajnë me një vrasës që kërkon pafajësi, duke sjellë si prova plagët në trupin e viktimës që vetë ka vrarë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA