Kuvendi miraton kredinë për sistemin energjitik. Gjiknuri: Privatizim i pjesshëm

11/12/2014 00:00

Kuvendi miratoi këtë të enjte kredinë prej 150 milionë dollarësh nga Banka Botërore për sektorin energjitik, që do të shpërndahet në katër komponentë.

Ministri Damian Gjiknuri deklaroi se janë edhe disa institucione të tjera financiare që janë ofruar për një tjetër hua prej 100 milionë dollarësh, për të nxjerrë sektorin nga pika e vdekjes, veçanërisht infrastruktura e shpërndarjes.

Paralelisht, Ministria e Energjitikës në bashkëpunim me KFW po studion mundësitë e operatorit të shpërndarjes, e shtetëzuar sërish vetëm para pak kohësh.

“Pasi të përfundojë studimi i financuar nga KFW, me një kompani serioze që përgatit terma reference për këto shërbime, ne do ta gjykojmë a ia vlen të marrim elementë jo vetëm konsultenë, por edhe me fuqi menaxheriale për ta shkëputur kompaninë nga ndërhyrjet e përditshme, që bëjnë të vështirë punën në këtë sektor dhe ta përgatisim për një privatizim të pjesshëm në një të ardhme të afërt”, tha Gjiknuri.

“Ju duhet të shqyrtonit edhe mundësinë e menaxhimit publik të OSHEE-së. Administrimi publik ka një avantazh që nuk e kanë mënyrat e tjera, atë të kontrollit të koorporatës që duhet të jetë publik por jo politik”, replikoi kreu i komisionit të ekonomisë, Erjon Braçe.

E ndërsa ministri Gjiknuri foli për rritje të arkëtimeve dhe reduktimin e uljes, Braçe kërkoi rritje të investimeve në ato zona që paguajnë më shumë energjinë, si dhe adresim të drejtë të ankesave për faturat e energjisë së pamatur.

“Në nëntor humbjet kanë vajtur në nivelin 32 për qind, ndërkohë që në nëntorin 2013 ishin 47 për qind. Pra, kemi 15 për qind ulje. Ne shpresojmë të shkojmë nën 38 për qind”, saktësoi Gjiknuri.

“Përsa kohë qytetarët shkojnë në dyert e OSHEE për të paguar detyrimet duhet të rritet përgjegjshmëria e kompanisë për shërbimin e ofruar, veçanërisht në riparimin e defekteve të mëparshme”, tha më tej Braçe.

Në vlerësim të rritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve për pagesën e energjisë, Braçe tha se radhët e gjata të arkëtimeve tregojnë dështimin e thirrjeve të opozitës për mospagimin e energjisë elektrike.

Top Channel