Rama në Bruksel: Ballkani është i lodhur nga durimi

09/12/2014 00:00

“Rigjallërimi i Ballkanit: Goditja fillestare për politikat e ngecura” ishte tema e konferencës vjetore të organizuar nga Miqtë e Europës me përfaqësues të institucioneve të BE-së dhe rajonit, me përjashtim të Serbisë që bojkotoi këtë aktivitet, siç u lajmërua një ditë më parë në TCH.

Përtej luftrave, gjakderdhjeve, urrejtjes e mosbesimit, kryeministri Rama vlerësoi se tashmë rajoni është në paqe dhe falë marrëveshjes së arritur mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës, Ballkani nuk ka probleme kufijsh sot.

Por, ai kërkoi nga Unioni që të jetë më strategjik në këtë periudhë sfidash dhe foli për lodhje durimi në Ballkan nga politika e zgjerimit të BE-së.

“Unioni është gjithnjë e më shumë taktik sesa strategjik. Ju përmendët Kinën dhe Rusinë, të cilat për arsye dhe objektiva të ndryshëm duken fuqi shumë më strategjike se vetë Bashkimi Europian. Ndaj mendoj se trajtimi i problemeve të sotme nuk vjen me performancën e një Europe taktike, por duke gjeneruar një Europë strategjike”, deklaroi Rama.

“Ajo që shihni sot si sukses të madh në Ballkan mund të shndërrohet në një makth nëse Europa nuk e kupton se duhet t’i kthehet Ballkanit e të heq dorë nga puna e zakonshme, sepse kjo mund të jetë shumë e dëmshme”, vijoi ai.

“Sigurisht që ne nuk mund të shmangim detyrat e shtëpisë, por po kaq e sigurtë është se ne nuk mund të ushqejmë shpresën dhe ëndrrat e njerëzve me kapituj integrimi. Njerëzit nuk do të jenë të gatshëm vërtet për të vijuar vit pas viti me thëniet ‘ia dolëm për kapitullin 23 e tani nis kapitulli 24’, ndërsa vitin tjetër kapitulli 36. Duhet të bëjmë diçka paralelisht, sepse unë besoj fort se sot më shumë se kurrë Ballkani ka nevojë për Europën, po aq sa Europës i nevojitet Ballkani. Sot është kyçe për Europën që të zgjerohet me Ballkanin, pasi unë mund ta kuptoj lodhjen nga zgjerimi, por Europa duhet të kuptojë lodhjen e durimit. Lodhja nga durimi në Ballkan është një gjë mjaft e nxehtë”, përfundoi kryeministri shqiptar.

Qëndrimi i kryeministrit Rama u mirëprit në këtë panel dhe kreu i delegacionit për Serbinë, Eduard Kukan, kujtoi se në Ballkan duhet rifituar besimi.

“Së pari kjo fitohet kur ne dorëzojmë arritje, të dy palët, si vendet në rajon dhe ne si Bashkim Europian. Ne nuk mund të heqim dorë nga angazhimi ynë dhe duhet të tregohemi seriozë. Për kolegët në rajon ka tre fusha që janë më të domosdoshmet: sundimi i ligjit, gjyqësori dhe ekonomia”, tha Kukan.

Përveç Shqipërisë, Serbisë dhe Malit të Zi, Kukan përmendi bllokimin e Bosnjes e frustrimin e brendshëm në Maqedoni, duke thënë se çështja e emrit me Greqinë duhet zgjidhur në nivel europian e jo të trajtohet si problem bilateral. Ndërsa u kritikua dhe zbatimi në terren i marrveshjes së prillit, që u arrit me ndërmjetësimin e BE-së mes Prishtinës dhe Beogradit.

Top Channel