Rritja e çmimit të energjisë, PD: Kryeministri tallet me shqiptarët

07/12/2014 00:00

Nga selia e Partisë Demokratike kanë reaguar sërish për çmimin e energjisë elektrike, teksa kësaj here ka qenë sekretari organizativ i kësaj partie, Enno Bozdo, ai që ka akuzuar qeverinë për mashtrimin e qytetarëve shqiptarë, të cilëve deri dje u thoshte se nuk do kishte rritje të çmimit, ndërsa tashmë e kanë pranuar edhe vetë.

“Më në fund, qeveria e pranoi vetë, se dhurata që ajo ka menduar për qytetarët këtë fundviti, është rritja e çmimit të energjisë. Zyrtarisht, qeveria ka kërkuar të rrisë cmimin e energjisë elektrike me 22 përqind. Nga ana tjetër, kompania OSHEE, 100 përqind në pronësi të qeverisë, pra përsëri qeveria, kërkon një rritje cmimi më shumë se 60%. Një tallje masive për shqiptaret, të cilët tashmë e kanë kuptuar se cmimi përfundimisht do të rritet! Një rritje që prek drejtpërdrejt ata që nuk kanë, pra më shumë se 76 përqind të qytetarëve. Rritja e cmimit të energjisë është një padrejtësi, që qytetarët do të dinë ti bëjnë ballë. Siç e tregoi protesta masive popullore. Dhe protesta popullore do ta ndalë të keqen”, deklaroi sekretari organizativ i PD-së, Enno Bozdo.

Top Channel