‘YotaPhone 2’, telefoni inteligjent me dy ekrane

05/12/2014 00:00

Që kur u hodhën për herë të parë në treg e në vazhdim, telefonat inteligjentë kanë ndryshuar dhe vazhdojnë të ndryshojnë shoqërinë, por pa u tjetërsuar shumë vetë.

Gara për ‘zaptimin’ e sa më shumë tregjeve ka nxitur në nxjerrjen gjithnjë e më shumë të telefonave më të shpejtë, me më shumë aplikacione e të tjera si këto, por deri më tani ka munguar një risi e mirëfilltë.

Themi deri më tani sepse ndoshta kompania ruse, “Yota” do të revolucionarizojë këtë treg me produktin e saj, ‘YotaPhone 2’. Telefoni përdor sistem operimi Android, ka një procesor quadcore prej 2.2 GHz, memorie të përkohëshme prej 2 G Ram dhe hapësirë prej 32 Gb.

Sigurisht, të gjitha këto nuk e bëjnë të veçantë pasi me të tilla parametra ka plot telefona në qarkullim, madje që shkojnë edhe përtej këtyre parametrave. Ajo që është e veçantë është se ‘YotaPhone 2’ është i pari telefon inteligjent me dy ekrane dhe që të dy plotësisht funksionalë.

Gjatë prezantimit të produktit në Londër, Vlad Martynov, kreu i kompanisë ruse tha se synimi është që t’u ofrohet konsumatorëve një telefon në gjendje të kryejë të gjitha funksionet e tij me të dy ekranet.

Për çfarë nevojiten dy ekrane? Martynov thotë se ekrani parësor prej 5 polësh është i ndërtuar me të njëjtat karakteristika dhe parametra të telefonave të tjerë të kësaj kategoria, ndërsa ekrani dytësor funksion të parë ka kursimin e baterisë.

Ky ekran, thotë ai, siguron të gjitha shërbimet që ofron edhe ekrani parësor, por me një konsum të papërfillshëm të baterisë që zgjat deri në 3 ditë. Sigurisht e gjithë kjo është bërë në kurriz të humbjes së cilësisë, por një tjetër avantazh është edhe teknologjia e përdorur, e-ink, e njëjtë si ajo e përdorur nga ‘Amazon’ tek produktet ‘Kindle’. Kjo i mundëson çdo përdoruresi të lexojë një mesazh në çdo kënd, madje edhe kur rrezet e diellit bien pingul mbi ekran.

Kompania ruse është optimiste se do të gjejë hapësirën e vet në treg me këtë produkt, që thotë se është bindës, madje aq bindës sa edhe vetë presidenti Putin është shprehur entuziast dhe gjatë qendrimit në samitin në Kinë i dhuroi homologut kinez, Xi Jinping pikërisht një telefon të tillë.

Top Channel