Mekanizmi për pagesën e energjisë, Rama: Ja kushtet

02/12/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama zbardhi mekanizmin me të cilin do të mund të shlyejnë pagesat të gjithë debitorët e energjisë elektrike.

Skema është e vlefshme vetëm për konsumatorët familjarë që kanë detyrime të prapambetura ndaj OSHEE-së dhe si afat përfundimtar ka 28 shkurtin e vitit të ardhshëm.

“Dua të komunikoj me ju për fillimin e fazës së dytë të operacionit me hyrjen sot në fuqi të një mekanizmi nxitës për kryerjen e pagesave që skadon në datën 28 shkurt. Çdo konsumator familjar, e përsëris familjar, që ka borxhe të mbartura ndaj kompanisë dhe po ashtu kamat-vonesa që rriten muaj pas muaji, ka një mundësi të re dhe të papërsëritshme, deri në 28 shkurt: Të paguajë borxhin të plotë dhe të përfitojë uljen e shumës së kamat-vonesave në masën 80 përqind. Pra, kush paguan borxhin e plotë, fiton mbrapsht 80 përqind të kamat-vonesës. Kjo mundësi skadon në 28 shkurt dhe duhet të jetë e qartë për të gjithë se nuk bëhet fjalë për falje, po për një përfitim të dyanshëm përmes pagesës së plotë të borxhit. Kompania përfiton nga marrja mbrapsht menjëherë e borxhit me vetëm 20 përqind kamat-vonesë, ndërsa konsumatori përfiton 80 përqind  të kamat-vonesës nga shlyerja e menjëhershme e borxhit. Mundësia tjetër që u krijohet konsumatorëve që kanë borxhe ndaj kompanisë, është të lidhin menjëherë kontratën dhe përveç pagesës mujore të shlyejnë çdo muaj jo më pak se 2500 lekë të reja nga borxhi i tyre. Ky borxh shtrihet në kohë dhe ka brenda të plotë edhe kamat-vonesën e bartur, e cila nuk rritet për sa kohë konsumatori e paguan këstin mujor të borxhit. Është e qartë që mospagesa e këstit qoftë edhe një herë, sjell ndërprerjen e menjëhershme të energjisë elektrike dhe rifillimin e llogaritjes së kamatë-vonesës”, tha Rama.

Ndërsa për personat me aftësi të kufizuara dhe ndihmë sociale do ketë një tjetër skeme.

“Për familjet e kategorizuara në sistemin e ndihmës ekonomike apo personat me aftësi të kufizuar si edhe pensionistët kryefamiljarë, pra gjithë pjesa e mbrojtur deri sot nga fasha 300KW e që do të përfitojë para direkt nga buxheti i shtetit qysh në janar pas heqjes së fashës, vlera e këstit mujor për shlyerjen e borxhit, do të jetë jo më e vogël se 1,000 lekë në muaj. Por nuk do të ketë në asnjë rast lidhje të energjisë elektrike pa hyrë në sistemin e pagesave të rregullta korrente dhe pa e paguar këstin përkatës”, u shpreh Rama.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama nuk kurseu as akuzat për mazhorancën e djeshme, sot në opozitë, e cila sipas tij la pas një borxh prej 1.1 miliardë dollarë.

“Atyre që e groposën sistemin elektroenergjitik, në gropën e tmerrshme të 1.1 miliardë dollarë borxhe dhe sot shfaqen çdo ditë buzë një grope të hapur po nga vetë ata, për të nxitur pakënaqësi mes njerëzve, madje derdhin edhe lotë krokodili, tamam vrit natën e qaj ditën, e vunë në gjumë me përralla këtë popull tetë vjet rresht e i hapën këtë gropë të madhe borxhesh, ku për pak ra brenda Shqipëria e tërë, dhe tani që po del dita e po ngrihet përditë shteti i munguar kaq vite, i qajnë edhe hallin”, shtoi Kryeministri.

Top Channel