Guvernatori i BSH-së, ndryshon ligji. Shtetësia shqiptare, jo kusht

02/12/2014 00:00

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi një ndryshim në ligjin për Bankën e Shqipërisë, që i hap rrugë zgjedhjes në krye të këtij institucioni edhe të një guvernatori me shtetësi të huaj.

Erjon Braçe, kryetar i Komisionit tha se ndryshimi i ligjit të bankës synon ta përputhë atë me Kushtetutën e vendit, e cila nuk përcakton që guvernatori të jetë domosdoshmërisht shtetas shqiptar.

“Për të përputhur qartësisht kriteret e Kushtetutës me ligjin për Bankën e Shqipërisë bëhet propozimi i mësipërm për të hequr kriterin e shtetësisë nga ligji për BSH duke e përputhur këtë gjë edhe me Kushtetutën përsa i përket anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës, por edhe Guvernatorit të BSH-së”, tha Braçe.

Sipas tij heqja e kriterit të nënshtetësisë për postet drejtuese të bankës, përveçse e konsultuar me ndërkombëtarët është një praktikë që e kanë edhe vendet e zhvilluara të perëndimit.

“Nuk ka parasysh thjesht dhe vetëm atë që gjërësisht është shfaqur si spekulim edhe në media përgjatë këtyre 2-3 ditëve të fundit për një guvernator të huaj, por ka parasysh  edhe një shqiptar, pra një person me kombësi shqiptare që për një arsye të caktuar është detyruar të lërë shtetësinë shqiptare”, deklaroi kreu i Komisionit të Ekonomisë.

Kuvendi është në proces të përzgjedhjes së dy anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës, të cilët mund të jenë potencialisht edhe kandidatë për guvernatorë. Sipas Braçes asnjëra prej kandidaturave të paraqitura deri më tani nuk është me nënshtetësi të huaj.

‘Lufta’ për Guvernatorin e ri

Përtej argumentave të Komisionit të Ekonomisë ndryshimi i ligjit për Bankën e Shqipërisë më shumë se një korrektim për ta përputhur me Kushtetutën duket një ndërhyrje e lidhur drejtpërdrejtë me zgjedhjen e Guvernatorit të ri.

Në fakt maxhoranca kishte parlajmëruar kohë më parë, që pas skandalit të vjedhjes së Thesarit se do të ndërhynte në ligjin për bankën qëndrore. Por fillimisht për të tjera arsye. Përkatësisht eleminimi i konfliktit të interesit në bankë, kufizimi i mandatit të guvernatorit, por edhe nxjerrja e këtij institucioni nga një model drejtimi nepotik dhe klientelist i lidhur ngushtë me politikën.

Të tre këto arsye e bënin të nevojshëm ndryshimin e ligjit për Bankën e Shtetit dhe konteksti pas skandalit i jepte maxhorancës një kompromis të fortë publik për të ndërhyrë. Por kjo paketë ndryshimesh mësohet se është në fazë konsultimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe do të paraqitet në një kohë të mëvonshme. Ndërsa në draftin e sapovotuar, i vetmi nen që ndryshohet është ai që heq kriterin e nënshtetsësisë për anëtarët e Këshillit Mbikqyrës dhe Guvernatorin, për të cilin komisioni thotë se e ka marrë miratimin nga FMN.

Si Fondi ashtu dhe Banka Botërore kishin deklaruar që më parë publikisht se ishin indiferentë përballë nënshtetësisë së guvernatorit dhe se nuk do e kundërshtonin një guvernator të huaj potencial. Ndaj miratimi i tyre nuk pritej të ishte një test i vështirë për maxhorancës.

Ajo që mbetet për t’u parë është se cili do të jetë reagimi i Presidentit përballë këtij ndryshimi ligjor, pasi në më shumë se një rast kreu i shtetit ka lënë të kuptohet se preferon një guvernator shqiptar.

Top Channel