Mund të jetojmë në një tjetër planet…njëkohësisht

30/11/2014 00:00

Për momentin është vetëm teori dhe gjasat janë që të mbetet e tillë edhe për shumë kohë.

Studiuesit australianë besojnë se kur vjen puna tek ekzistenca e sistemeve paralele, ato nuk janë vetëm produkt i fantashkencës, që më së shumti mori famë me filmin “Sliding Doors” të 1998 me regji të Peter Howitt.

“Alter-egot” tona, krejtësisht të njëjtë me ne, mund të ekzistojnë dhe vazhdojnë jetën e tyre në një sistem paralel. Sipas shkencëtarëve australianë, sistemet ndërveprojnë me njëri-tjetrin dhe kjo do të shpjegonte edhe natyrën misterioze të botës së kuantikës.

Studimi i Griffith University në Brisbane të Australisë, i realizuar në bashkëpunim me Universitetin e Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara në nivel teorik thotë se sisteme të tilla nuk mund të jenë vetëm produkt i fantashkencës dhe se realiteti i sistemeve paralele të populluara nga ‘kopjet’ tona në ‘toka’ të tjera, thuajse të ngjashme me planetin tonë është një mundësi reale, por mos prisni që kjo ekzistencë e jona tjetërkund të provohet me fakte për shumë…shumë kohë.

Teoria është frymëzuar nga studimet në fushën e kuantikës, bota sub-mikroskopike, ku disa elemente të dimensioneve tepër të vogla, pjesë e atomeve (si elektronet) kanë aftësinë që në të njëjtën kohë të ndodhen në dy ose më shumë vende të ndryshme, megjithatë të provosh të zbatosh kuantikën në botën makroskopike gjërat bëhen më komplekse dhe jo vetëm në fazën e eksperimenteve, por edhe në anën teorike që të paktën deri më tani çojnë në rezultate krejtësisht të pashpjegueshme të realitetit…për momentin.    

Top Channel