Shfaqet premiera e dokumentarit “Beteja Jonë”

28/11/2014 00:00

U shfaq në Muzeun Historik Kombëtar premiera kombëtare e dokumentarit “Beteja Jonë”, i realizuar nga gazetarja Monika Stafa dhe Digitalb, në kuadër të 70-vjetorit të Çlirimit.

Dokumentari sjell fakte dhe dokumenta të reja mbi rezistencën shqiptare gjatë Luftës II Botërore, aq shumë të diskutuar pas vitit ‘90, nën konsulencën e historianes Sonila Boçi.

“Qëllimi i këtij projekti ishte dëshira për të bërë të mundur për të thënë një histori ndryshe për rezistencën antifashiste. 70 vjet janë një kohë e mjaftueshme për të reflektuar me gjakftohtësi dhe për të nxjerrë mësime”, deklaroi Boçi.

Nëndrejtori i muzeut, Dorian Koçi falenderoi Digitalb dhe autorët e këtij filmi dokumentar, duke e cilësuar atë si një aset të vyer në rishkrimin e historisë së Shqipërisë gjatë luftës.

“Rezistenca shqiptare nuk është më e rëndësishmja në Evropë, por as më e vogla në raport me numrin e popullsisë. Ndaj, nëse pranojmë antifashizmin si një vlerë të konfirmuar herë pas here edhe nga KiE, ne duhet të ndihemi krenarë që vendi u radhit në koalicionin antifashist”, tha Koçi.

Ndërsa gazetarja Monika Stafa solli para miqve dhe të fuarve të saj arsyet profesionale dhe personale që e nxitën drejt këtij realizimi që është bërë pjesë e kalendarit të aktiviteteve për 70-vjetorin e Çlirimit kudo në qytetet e shqiperisë.

“Shtetet nuk rithemelohen. Shtetet dëshmohen. Por si do të dëshmohen shqiptarët si shtet pasi të kenë kaluar edhe disa vite e dekada indiferencë, nëse puna do të mbetet që të vijë një mision italian dhe të ndërtojë, bie fjala, një bareliev për luftën e Pezës, apo një tjetër mision gjerman për luftën e Musqetasë? Regan pat thënë në fundin e viteve 1980, kur kërkoi të vinte një tufë me lule në varrezat e të rënëve si nazistë: Koha ata i zuri në këtë llogore, ata ranë në barrikadën ku u gjendën dhe ne respektojmë barazinë para vdekjes”, u shpreh Stafa.

Dokumentari u mirëprit nga të ftuarit e të pranishmit të cilët i përkisnin grupmoshave të ndryshme.

Top Channel