PD: Drejtori i OSHEE nuk paguan energjinë. Kompania: Është shkarkuar

25/11/2014 00:00

Partia Demokratike denoncon rastin e drejtorit të OSHEE në Lushnjë, i
cili sipas PD-së nuk paguan energjinë që shpenzon me biznesin e tij në
vlerën 1 milionë e 600 mijë lekë.

“Edi Rama ka caktuar në krye të operatorit shqiptar të energjisë hajdutë, përfitues dhe abuzues me pasurinë publike. Edi Rama nuk krijon asnjë vend pune për të varfërit që të kenë mundësi të shlyejnë pagesat e energjisë, dhe nuk jep asnjë alternativë tjetër vec burgut, ndërkohë që në krye të OSHEE ka caktuar njerëz që vjedhin vetë energjinë. Drejtori i OSHEE-së së Edi Ramës në Lushnjë ka favorizuar biznesin e tij, duke mos i paguar faturat e energjisë. Ky drejtor i Edi Ramës ka vjedhur të paktën 1 milionë e 600 mijë lekë. Cfarë ka ndodhur me drejtorin e Ramës. A është ai sot në burg, si dhjetra e qindra hallexhinj që nuk e paguajnë dot energjinë se nuk kanë bukë të hanë, sepse qeveria nuk ka hapur asnjë vend pune por ka mbyllur me mijëra? Jo nuk është në burg, është drejtor, është numri një i Energjisë për Lushnjen”, tha kreu i grupit kuvendor demokrat, Edi Paloka.

Pas kësaj deklarate të opozitës, OSHEE ka reaguar nëpërmjet një konference për mediat ku sqaron se personi i përmendur nga Partia Demokratike është i shkarkuar nga detyra dhe se aktualisht është duke paguar debinë me këste.

“OSHEE deklaron se zoti Dine Aliaj është shkarkuar nga detyra e kreut të OSHEE në Lushnje që në datën 21 nëntor 2014. Shkarkimi ka qenë për shpërdorim detyre dhe performancë të dobët. Në 2013, Dine Aliaj ka patur një debi prej 120 mijë lekësh të rinj, pas pagesave të kryera aktualisht debia e mbetur është 85 mijë lekë të rinj, që do t’i mbahen. Sqarojmë se PD dizinformon në mënyrë të qëllimshme duke deklaruar se ky person është ende në detyrë”, përfundon komunikata e OSHEE-së.

Top Channel