Patozi: Modeli “Berisha”, i panevojshëm më

24/11/2014 00:00

Astrit Patozi ish-kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike,
njëkohesisht ish-nënkryetar i saj, i ftuar në “E Diell” në Top Channel
ka folur për figurën e kolegut të tij, Sokol Olldashi, në 1-vjetorin e
ndarjes nga jeta.

Patozi, një mik i afërt i Olldashit ka shpjeguar modelin që Sokoli përfaqësonte, duke theksuar se Partia Demokratike duhet të largohet nga modelet e vjetra të liderit absolut dhe t’i kthehet, modeleve të partive moderne ku vendimet merren në mënyrë kolegjiale.

“Partia Demokratike kishte më shumë se kurrë nevojë për zëra si Sokol Olldashi, sot dhe në të ardhmen. Por edhe në politikën shqiptare edhe në shoqëri në përgjithësi. Unë them që ai model politikani, apo ai tip politikani i takon së ardhmes”, tha Patozi.

Patozi shpjegoi edhe modelin që përfaqëson ish numri një i demokratëve, Sali Berisha.

“Ka një etje zhuritëse kjo shoqëri, që të ndahet nga një model tjetër, qoftë edhe për faktin se nuk mund të zgjasë pafund tranzicioni. Ta themi shkoqur, Sali Berisha hyn tek politikanët karizmatikë, tek politikanët patetikë, në një farë mënyrë tek mënyra e të bërit politikë, kjo deri diku është i justifikueshme sepse së pari, Berisha ishte brenda natyrës së tij, e ka pa asnjë lloj sforcimi këtë gjë dhe së dyti, i shkonte në kontekstin e kohës. Në një farë mënyre ai perceptua si udhëheqësi i një lëvizjeje apo revolucioni që përmbysi një sistem dhe solli një sistem tjetër dhe ndoshta kjo shoqëri kishte nevoojë për këtë lloj antikomunizmi. Sot kjo nevojë nuk është më dhe nuk e kuptoj pse ka ende njerëz që e ndjekin Sali Berishën për ta imituar atë, madje edhe duke qenë kundërshtarë të tij”, shprehet Patozi.

Sipas Patozit nevoitet një model ndryshe jo vetëm ne politikët e PD- por mbi të gjitha për shoqërinë shqiptare.

“Ne tashmë na duhet një model tjetër dhe Olldashi kishte shumë karakteristika të këtij modeli që i duhet kësaj shoqërie. Unë shpresoj që kjo të ndodhë tek Partia Demokratike dhe e djathta në përgjithësi”,theksoi Patozi.

Top Channel