“Kopja e vogël” e së ëmës

21/11/2014 00:00

Pak njerëz e njohin emrin Kaia Gerber, por shumë shpejt do të ndodhë e kundërta. Gerber, vajza 13-vjeçare e Cindy Crawford, është quajtur “kopja e vogël” e supermodeles për një motiv të fortë.

Me flokët gështenjë, fizikun e hollë dhe të gjatë dhe tiparet simetrike, Gerber ka trashëguar pa dyshimin më të vogël look-un e së ëmës. Tani Gerber ka pushtuar kopertinën e “Teen Vogue” për muajin dhjetor, duke bërë dhe debutimin e saj të parë në një revistë.

Gjatë setit të fotove e gjithë familja ishte e pranishme për të inkurajuar vajzën 13-vjeçare, e cila ka thënë për të ëmën: “Ajo di gjithçka për modën. Mendoj se do ta ketë të vështirë të jetë në setet e mia dhe të mos më thotë se si të veproj”.

Por pavarësisht se ka linjat dhe bukurinë e Cindy-t, Gerber nuk e sheh të domosdoshme depërtimin në botën e modës. Në vend të kësaj ajo preferon aktrimin dhe ka kryer një sërë audicionesh në Hollivud.

“Më pëlqen të eksploroj përtej asaj që jam, në mënyrë që të ndjej njerëzit e tjerë. Kur bëhesh dikush tjetër i kupton më mirë njerëzit”, tha adoleshentja për “Teen Vogue”.

Me pak fjalë, Gerber është një vajzë që e di se çfarë kërkon dhe pa dyshim, lëvizjet e saj të ardhshme nuk do të kalojnë pa u vënë re.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel