Drejtësia, Nishani: Vetëm fjalë për reformën

19/11/2014 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u bëri thirrje të gjithë aktorëve të drejtësisë, që t’i lënë fjalët e të hedhin hapa konkrete për realizimin e reformës në drejtësi, e cila në këndvështrimin e kreut të shtetit nuk realizohet me shkop magjik.

“Me keqardhje po konstatoj se procesi është ende në ngërç dhe se takimet që pasuan atë të 6 tetorit nuk po godasin në shenjë. Nuk avancohet axhenda e reformës, pa një axhendë pune dhe prioritizim të të gjitha çështjeve. Ndaj gjej rastin që edhe njëherë përmes këtij takimi të bëj thirrje publike për ndaj të gjithë aktorëve vendas, të nisin sa më parë dhe seriozisht punën për: së pari, përcaktimin e prioriteteve”, u shpreh kreu i shtetit, Bujar Nishani.

“Reforma jonë do të përqëndrohet në këto shtylla kryesore. Në reformimin e Gjykatës Kushtetuese, në reformimin e Gjykatës së Lartë, në atë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Konferencës gjyqësore Kombëtare, e të Këshillit të Prokurorisë”, theksoi ministri i Drejtësisë, Nasip Naço.

“Çështja kryesore është identifikimi i problemeve dhe marrja e masave konkrete”, tha kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.

“Nuk mund të ketë rend, siguri dhe paqe sociale pa një drejtësi funksionale që jep drejtësi, dhe nuk përsërit vendimet skandaloze të dhëna gjatë këtyre viteve, kur vrasës, kriminelë nga më të rrezikshmit, janë lënë të bredhin të lirë, pa u hyrë gjemb në këmbët e tyre”, u shpreh zv/kryeministri Niko Peleshi.

“Ajo do të fokusohet jo thjesht në ndryshimet strukturore, por sidomos në ndërhyrjet e nevojshme në legjislacionin procedurial”, tha kryeprokurori Adriatik Lalla.

Por, ambasadorja e BE-së në Shqipëri solli në vëmendje se, pavarësisht mbështetjes së Bashkimit Evropian, përgjegjësia për të bërë reformë u takon drejtësibërësve shqiptarë.

“Drejtësia nuk është një mall i lirë. Është e nevojshme të alokohen buxhete, në mënyrë që sistemi i drejtësisë të mirëfunksionojë. Duhen parë kushtet e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, përfshi edhe pagesat që duhet të përmirësohen për të përmbushur pritshmëritë nga ata. Sepse ata punojnë në shërbim të shtetit ligjor dhe në shërbim të së mirës së qytetarëve. Ata duhet të jenë të pavarur nga çdo influencë politike, apo ato të karakterit ekonomik, përfshi këtu edhe interesat personale”, tha Romana Vlahutin, ambasadore e BE-së në Shqipëri.

Këto deklarata u dhanë në konferencën e hapjes së projektit “Euralius 4” në Shqipëri.

Top Channel