“3 autoambulanca, për 100 raste në ditë”

18/11/2014 00:00

Pas ngjarjes së fundit, ku është vënë në diskutim ndërhyrja në kohë e urgjencës, kamera e Top Channel ka shkuar në Shërbimin e Urgjencës së Tiranës për të bërë një intervistë me shefin e këtij shërbimi, i cili është shprehur për “Pasdite në Top Channel” mbi të gjitha shqetësimet dhe problematikat e këtij shërbimi.

TCH: A ka një rregullore ku përcaktohen qartë se si procedohet në një rast urgjence?

Shefi i Urgjencës: Shërbimi i urgjencës së Tiranës funksionon mbi bazën e një rregullore të brendshme, të miratuar nga Ministria dhe Autoriteti Shëndetësor Rajonal.

TCH: Konkretisht nëse marrim një rast, që në momentin e bërjes së telefonatës, për sa kohë duhet të jetë në vendngjarje shërbimi i urgjencës?

Shefi i urgjencës:
Koha nuk është qartësisht e përcaktuar, sepse varet nga faktorë të tjerë, nuk varet drejtpërdrejt nga shërbimi i urgjencës. Varet nga trafiku, nga bllokimi i korsive të emergjencave, pra nga shumë faktorë të tjerë që nuk janë në dorën tonë. Realisht, me të marrë informacionin ne reagojmë menjëherë si praktikë pune. Brenda unazës shkojmë për 5-7 minuta, ndërsa jashtë unazës varet nga shumë faktorë, por ndoshta 10-15 minuta.

TCH: Sa kërkesa për ndihmë merrni nga qytetarët në ditë?

Shefi i urgjencës:
Mesatarisht 100 telefonata në ditë. Ka edhe qytetarë që abuzojnë me shërbimin e urgjencës, kërkojnë shërbimin ndërkohë që realisht nuk shfaqin shqetësime shëndetësore, por në përgjithësi, qytetarët janë korrektë në marrëdhëniet me shërbimin e urgjencës.

TCH: A e përballoni këtë fluks?

Shefi i urgjencës: Ne kemi 3 autoambulanca në një turn 12 orësh. Është e pamundur që të realizohet një shërbim normal, gjithsesi ne i jemi përgjigjur në kohë qytetarëve me shërbimin e urgjencës. Edhe nga Ministria është marrë parasysh ky shqetësim dhe besoj se do të jetë ndër objektivat e saj, për të rritur numrin e automjeteve në dispozicion të shërbimit të urgjencës.

TCH: Çfarë ndodh me rastet kur ju nuk iu përgjigjeni dot për shkak të mungesës së autoambulancës?

Shefi i urgjencës: Kur marrim telefonatë, ne bëjmë menjëherë vlërësimin e gjendjes së të sëmurit. Iu përgjigjemi pacientëve që janë në gjendje më të rëndë e që nuk presin, sipas një protokolli që kemi ne, triazhi, që bën vlerësimin e gjendjes së të sëmurit dhe përcakton përparësinë, si në rastet e aksidenteve rrugore, apo shqetësime të rënda shëndetësore.

TCH: Do me thënë këtë gjë e arrini nëpërmjet telefonit?

Shefi i urgjencës:
Po.

TCH:
Ju e bëni këtë lloj cilësimi dhe vlerësimi të situatës në telefon?

Shefi i urgjencës:
Po, më shumë nëpërmjet telefonit, por ka edhe pacientë që paraqiten në shërbimin e urgjencës, e që u jepet ndihma përkatëse.

TCH: Ka ndodhur ndonjëherë që njerëz që kanë marrë në telefon urgjencën, ky shërbim u ka thënë që të lidhen me policinë dhe policia të njoftojë urgjencën? Kur ndërhyn policia, në çfarë rastesh?

Shefi i urgjencës:
Në rast se jepet një përgjigje e tillë, policia ndërhyn në rastet kur pacienti është i alkoolizuar, është i dhunshëm, është me probleme psikike, me skizofreni apo persona depresivë, të cilët mund të paraqesin rrezik ndaj personelit mjekësor. Atëherë në jemi të detyruar që të kërkojmë ndihmën e policisë së rendit, për të shkuar në banesë, sepse ka pasur raste që personeli mjekësor është dhunuar nga pacientët në nevojë.

Top Channel