Projektbuxheti 2015, Kuvendi diskuton të hënën

16/11/2014 00:00

Pas miratimit në parim në Komisionin e Ekonomisë ditën e premte, mazhoranca do të kalojë këtë të hënë për diskutim në seancë plenare në Kuvend projektbuxhetin për vitin e ardhshëm.

Kjo është konfirmuar edhe nga Kryeministri Edi Rama nëpërmjet rrjeteve sociale.

“Nesër diskutojmë buxhetin e ri. Krenarë për arritjet e vitit të parë dhe ambiciozë për një tjetër vit domethënës në rrugën e Rilindjes që duam”, shkruan Kryeministri.

Në projektbuxhet Qeveria planifikon që vitin e ardhshëm të ardhurat totale të arrijnë në 27.8 për qind e Prodhimit Kombëtar, me një rritje prej 49 miliardë lekësh krahasuar me këtë vit.

“6 vite të qeverisjes së Partisë Demokratike realizojnë shtesë të ardhurash vetëm 75.6 miliardë lekë. Vetëm 2 vite të kësaj qeverie, realizojnë 87.3 miliardë lekë. Atë që realizohet në 2 vite, nuk është realizuar as në 6 vite më parë”, tha ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

Qeveria pretendon se ky rezulat i lartë vjen prej luftës ndaj evazionit fiskal dhe jo nga rritja e taksave.

“Komponenti ‘rritje taksash’, është më pak se sa një e treta e të ardhurave shtesë që pritet të realizohen”, thotë zëvendësministri i Finanave, Ervin Mete.

Ambicja e qeverisë për të vjelur më shumë para nga ekonomia gri mbështet edhe nga deklaratat se gjatë vitit të ardhshëm pritet të ketë një sërë ndryshimesh ligjore dhe proceduriale për të luftuar evazioninin, kryesisht tek kompanitë konçesionare që shfrytëzojnë naftën dhe burimet e tjera të nëntokës.

Por pavarësisht parashikimeve optimiste të qeverisë, projektbuxheti kundërshtohet ashpër nga Partia Demokratike. Në analizën e opozitës projektbuxheti është shembull i qartë se si një qeveri, jo vetëm nuk mban premtimet e saj për shëndetësi falas, legalizime falas e ulje taksash, por rrit varfërinë ekstreme në vend.

Duke sjellë dhe analizuar disa shifra të projektbuxhetit, ekspertët e Partisë Demokratike thonë se qeveria nuk rrit më pagat, nuk bën më investime, por rrit taksat për të mbuluar rritjen e shpenzimeve për vete.

“Ky është një buxhet vetëm për qeveritarët dhe nuk ofron asgjë për qytetarët. Investimet rriten zero, ndërsa buxheti i Kryeministrit rritet me 30 për qind”, deklaron Sherefedin Shehu.

“Ky buxhet jo vetëm shërbimet e investimet publike që i ul, por braktis mbrojtjen shoqërore të shtresave të ekspozuara ndaj rritjes së tarifave, pa harruar rritjen e çmimit të energjisë. Rreziku për të rënë në varfëri ekstreme vjen duke u thelluar dhe është evident në vitin 2015”, thotë ish-ministri i Financave, Ridvan Bode.

Sipas Partisë Demokratike, ky buxhet jo vetëm nuk jep shpresë për rritje ekonomike, siç pretendon qeveria, por ai kërcënon qytetarët me rënie ekonomike dhe reçesion.

Top Channel