Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë për situatën e krijuar nga atentatet me tritol, duke e vënë theksin tek keqmenaxhimi që ajo po i bën Policisë së Shtetit, e cila sipas opozitës është mbushur me militantë që zëvendësojnë profesionistët.
“Brenda 12 orëve të fundit, 3 shpërthime me tritol kanë tronditur Tiranën, Krujën e Fushë-Krujën. Është ky agresioni më i madh që mund të bëhet ndaj pronës, e ndaj jetës së qytetarit. Vrasje po ndodhin cdo ditë.
Aksidentet me jetë të humbura janë shtuar. Policia e Shtetit gjendet këto ditë në momentet më kritike, pasi fushata e dorëzimit të saj përfundimtar në duart e militantëve, po jep efektet e saj të plota.
Edi Rama dhe ministri i tij, kanë zhbërë dhe po zhbëjnë, deri në specialistin e fundit, investimin e madh të shoqërisë shqiptare, investimin prej miliona dollarësh të partnerëve amerikanë, investimin maksimal të partnerëve europianë, për trainimin, dhe përgatitjen e kapaciteteve të Policisë së Shtetit.
Presim nga partnerët ndërkombëtarë të nxjerrin konkluzionet e duhura për cka po ndodh me Policinë e Shtetit, me investimin e taksapaguesve europianë dhe amerikanë.
I kujtojmë z.Rama, se pakënaqësinë që ka shkaktuar në popull, protestën që pritet të vijë, nuk e ndal dot as me policë, as me militantë të veshur si policë”, ka deklaruar deputeti Arben Ristani.
Top Channel