Rama: Vizita në Beograd, hap i ri për bashkëpunimin në rajon

12/11/2014 00:00

Rezymenë e vizitës në Beograd përpara medias kryeministri Edi Rama e
nisi me një falenderim drejtuar palës serbe për atë që ai e quajti
“plotësimin e kushteve të sigurisë për të kryer një mision jo të lehtë”.

“U thye një akullnajë e shtresëzuar në dekada të gjata luftrash. Ne shkuam në Beograd me dorën e shtrirë të miqësisë dhe jemi sot më afër seç ishim para dy ditësh edhe pse rruga që duhet të bëjmë për t’u bërë miq të vërtetë është shumë më e gjatë se rruga që bëmë këto dy ditë. Padyshim e konsideroj këtë një moment me rëndësi historike dhe për mua vizita e ka përmbushur plotësisht qëllimin e saj përsa na takon. Ndërsa përsa i përket deklarateve të palës tjetër, nuk ka si mos të vijë keq, kur sheh njerëz që përpiqen ta mbulojnë diellin me shoshë, apo që e kanë të pamundur të hapin sytë për të parë një realitet që është në sytë e të gjithëve”, tha Rama.

Një falenderim të veçantë, nga selia e Qeverisë shqiptare, Rama ia adresoi shqiptarëve të Preshevës.

“I siguroj të gjithë motrat dhe vëllezërit tanë në Luginë, se nuk do të rresht dhe nuk do të rreshtin përpjekjen tona për të garantuar, që ata të gëzojnë të njëjtat liri dhe të njëjtat të drejta, që gëzojnë serbët në veriun e Kosovës”, tha Rama.

Kryeministri dha edhe detaje se perse u mbajt darka me kryeministrin serb.

“Darka ishte rezultat i këmbënguljes më pas nga ana jonë, për të firmosur një marrëveshje me përmbajtje, duke mos pranuar të firmosur një marrëveshje të përgjithshme në një nga elementët që ne e konsiderojmë shumë të rëndësishëm dhe që është një element ky edhe i procesit të Berlinit. Dhe ne i kemi kërkuar që në këtë marrëveshje, elementi përmbajtësor i munguar të jetë ai që i siguron të rinjve, shqiptarë dhe serbë, njohjen reciproke të diplomave”, tha Rama.

Edhe një herë tjetër kësaj here nga Tirana, Rama ka ripërsëritur deklarimin që bëri në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën.

“Gjërat që qartësisht na ndajnë, nuk janë gjëra që na ndajnë ne me serbët, por janë gjëra që ndajnë serbët me të ardhmen e tyre. Sa më shpejt ta njohin Kosovën, aq më mirë do të jetë për serbët për ta çliruar veten nga një barrë e rëndë që siç e patë nuk dijnë ku ta çojnë. Janë ata që duhet ta zgjidhin këtë si një problem të madh të vetvetes me të shkuarën dhe me të ardhmen e tyre”, tha Rama.

Shefi i Qeverisë shqiptare u ndal edhe në çështjet e rajonit, duke deklaruar se “do të jetë i vështirë rrugëtimi europian veç e veç”.

“Shumë shpejt besoj ne do të vazhdojmë të tregojmë se jemi shumë të qartë se si rajoni mund të shkojë përpara si një palë e vetme dhe do të promovojmë në Bruksel nisma të përbashkëta. Një marrëveshje e re për Ballkanin që ne e kemi sygjeruar që në atë konferencë dhe që nënkupton jo vetëm marrëveshjen mes nesh në Ballkan, por edhe mes Ballkanit dhe Europës do të jetë shumë shpejt besoj në axhendën e marrëdhënieve mes nesh dhe Europës”, tha Rama.

Sipas Kryemininstrit Rama që nga viti 1978 janë shkruar e rishkruar 17 marrëveshje nga Serbia, por asnjëra nuk u firmos. Katër marrveshjet e firmosura në Beograd, Rama i quajti si nisjen e një procesi që do të pasojë prej marrëveshjeve të tjera kryesisht me karakter tregtar.

Top Channel