“Top Show”, Një tragjedi shqiptare

06/11/2014 00:00

Vrasja e katërfishtë e mëngjesit të së martës, ku i akuzuari kryesor është Kostandin Xhuvani, djali i aktores dhe ish-deputetes së Partisë Socialiste, Luiza Xhuvani, ishte tema e emisionit në “Top Show”, të gazetarit Alban Dudushi.

Paneli i ftuar të mërkurën në mbrëmje përbëhej nga Grida Duma, Kordinatore e Marrëdhënieve me Publikun në PD, Ermonela Felaj, ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin. Robert Rakipllari, kryeredaktori i “Gazetës Panorama”, Anila Hoxha, gazetare në Top Channel, Artan Hoxha, gazetar dhe drejtues i emisionit investigativ “Xhungël”, Zini Sulaj, shefi i Shërbimit të Toksikologjisë, Belioza Çoku, psikologe dhe Alban Ylli, specialist në ISHP.

Duke folur për dinamikën e ngjarjes, gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, ka thënë se “konflikti ka nisur në momentin kur Jaho i ka kërkuar lëndë narkotike Kostandin Xhuvanit, por ai nuk i ka dhënë duke pretenduar se Jaho nuk kishte para për ta paguar, më pas gjithçka ka kaluar në fyerje dhe konfrontim fizik”.

Gazetarja e Top Channel, duke iu referuar burimeve jozyrtare, ka shtuar se dy viktimat e tjerë ishin inspektorë të njësisë Task Forcës të anti-duhanit, por në lokal ishin si klientë.

Ndërsa gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Xhungël”, Artan Hoxha është shprehur se kjo ngjarje dha një mesazh nga i cili duhet të nxjerrim një mësim.

“Protagonisti i kësaj ngjarje është një person me precedent penal në të kaluarën, i cili në dy raste i është shmangur sistemit të drejtësisë, duke dalë i padënuar dhe është rikthyer sërish në rrugë. Përveç ngjarjes në rrugën “Ali Visha”, ku u vra një person, në muajin prill të këtij viti, sipas një deklarate të PD-së, Xhuvani ka qenë në kërkim nga policia për shkak të një tentative plagosje në qytetin e Gjirokastrës, po ashtu në fillimin e muajit qershor ka qenë i përfshirë në një shkëmbim zjarri me policinë në Tepelenë, kjo ka qenë rreth 10 ditë para se të ndodhte operacioni i Lazaratit. Më shqetëson se ky person, me të gjithë këtë kalvar ngjarjes ku ishte implikuar, i ka shpëtuar drejtësisë dhe për ironi të fatit ky personazh shkon dhe i merr jetën djalit të një prokurori. Kjo është ajo që është më e rëndë se pasojat e ngjarjes. Sistemi i drejtësisë ka dëshiruar”, ka thënë Artan Hoxha.  

Grida Duma është pyetur në lidhje me akuzat e bëra nga Partia Demokratike ndaj Kryeministrit të vendit, Edi Rama.

“Këtu janë të përfshira disa dimensione: është e përfshirë jeta dhe siguria e njeriut, është i përfshirë niveli i shoqërisë, problemi i madh me rininë e sotme. Por në këtë rast është i përfshirë morali politik dhe fakti që është djali i një deputeteje që në pozitën e nënës është fatkeqe, por për moralin politik dimensioni na tregon që krimi mbrohet politikisht”, u shpreh Duma.   

Zonja Duma shtoi se ish-deputetja Xhuvani e mori vendimin për të rikandiduar vetëm për të mbrojtur djalin e saj. “Jam përpjekur ta kuptoj se çfarë mund të ndodh me një nënë dhe një deputete njëkohësisht. Mendoj që vendimmarrja e saj, por edhe mbështetja që ajo të ishte deputete për herë të dytë, më bën të mendoj që në këto kushte ajo e ka bërë vetëm për të mbrojtur të birin”.  

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj është shprehur se në këtë ngjarje policia është treguar në lartësinë e duhur.

“Ishte një ngjarje e rëndë, por nuk është as e para e as e fundit. Policia është gjendur për 9 minuta në vendngjarje dhe ka bërë të mundur arrestimin e personave. Në momentin e arrestimit Kostandin Xhuvanit ka dashur të korruptojë policinë, ku ka përmendur emrin e nënës dhe të babait të tij. Por pavarësisht kësaj ai është arrestuar dhe kjo nuk ka ndikuar. Të dhënat e vendit të ngjarjes kanë qenë transparente dhe nuk janë manipuluar. Disa orë më pas nëna e Kostandinit ka bërë një dorëheqje dhe  nuk e ka dhënë me një deklaratë për shtyp, por pati kurajën morale të reagonte dhe të dënonte. Në të gjithë veprimin që bëri kishte dhe moral dhe etik. Më vjen keq që opozita ka rënë në këtë nivel.”, tha Felaj.    

Alban Dudushi: Që në ngjarjen e parë, ku Xhuvani ishte i përfshirë, u tha në opinionin publik se zonja Xhuvani duhet të jepte dorëheqjen. Por më pas zonja Xhuvani u rikandidua. Dorëheqjen e saj Bushati e cilësonte “të përdorur nga Kryeministri i vendit Edi Rama si një leckë që nuk i duhej më”. Janë këto elemente të njëpasnjëshëm, mos ndoshta ishte e vonuar kjo dorëheqje?

Duke folur në lidhje me ngjarjen e parë ku ishte i përfshirë Kostandin Xhuvani, zonja Felaj tha se në atë kohë mazhoranca e sotme ishte në opozitë dhe nuk kishte asnjë mundësi për të ndërhyrë.

“Mos harroni se në atë kohë kur ka ndodhur ajo ngjarje ne ishim në opozitë dhe nuk kishim vendosur në detyrë asnjë prokuror, nuk kishim zgjedhur apo emëruar asnjë prokuror rrethi, asnjë gjyqtar dhe nuk e kishim as Ministrin e Drejtësisë. Të gjithë këta persona i kishin të gjitha mundësitë për të hedhur dritë mbi të vërtetën e asaj ngjarje dhe mbi mënyrën sesi ishin implikuar prokurorët dhe gjyqtarët, por nuk u bë drejtësi, ndërsa tani opozita i vë faji mazhorancës”, tha Felaj.

Koordinatorja e Marrëdhënieve me Publikun në Partinë Demokratike tha se kjo ishte një ngjarje shumë e rëndë dhe është çështje e humbur nëse nis ta mbrosh vrasësin.

“Pas ngjarjes së parë, Ministri i Drejtësisë ka kërkuar të merren masa për gjykatësin dhe prokurorin e çështjes. Por në atë kohë Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama thoshte ‘mos ndërhyni në kompetencat e Prokurorisë”, u shpreh Grida Duma  

Kryeredaktori i gazetës “Panorama” tha se policia reagoi drejt, por pas vrasjes së 4 personave, sipas tij deri sa mbërritëm te kjo ngjarje ka pasur shumë probleme.

“Në rastin e vrasjes së katër personave, policia ka vepruar shumë mirë. Ai vrau 4 persona dhe nuk kishte se si të veprohej ndryshe. Edhe dorëheqja e zonjës Xhuvani në këtë rast ishte një sjellje e përgjegjshme. Kryeministri mund ta kishte kursyer daljen e deputetes në ekran, pasi ajo kishte përjetuar tmerrin e asaj dite. Mendoj se do të mjaftonte vetëm dorëheqja e saj me shkrim dhe nuk ishte e nevojshme të bëhej edhe ai spektakël. Kjo mendoj se është bërë për të eklipsuar ngjarjen e mëngjesit dhe një reagim sa më spektakolar i mazhorancës do të eklipsonte atë ngjarje të tmerrshme. Deri sa erdhëm te kjo ngjarje kemi pasur tmerrësisht shumë probleme, ku policia ka qenë e përfshirë dhe reagimi nuk ka qenë i duhuri”, u shpreh Robert Rakipllari.

Top Channel