Arber Zaimi – Serbishten në Tiranë mund ta dëgjosh edhe në rrugë.
Ekziston një komunitet serbësh të ardhur në Tiranë kryesisht për arsye
biznesi e pune, që jetojnë aty dhe që e kanë gjetur veten mirë. Po
njësoj, rastis ta dëgjosh serbishten në Prishtinë, edhe ndërkohë që je
duke shëtitur. Nuk besoj se i bën përshtypje ndokujt kjo, së paku nuk do
të ish dashur, dhe unë s’kam vënë re ndonjë reagim habie.
Por politikat për minoritetet nuk mund të bazohen thjesht te indiferenca ndaj gjuhës apo kostumit të tjetrit. Në Kosovën e gjetur mes Serbisë e Shqipërisë, do të duhej të niste një debat edhe mbi politikat për minoritetet, një debat që fillimisht do mund të formësohej edhe duke krahasuar dy shembujt e Serbisë e Shqipërisë, sa u përket politikave shtetërore që ndjekin me minoritetet e veta.
Serbia, e cila ka një shumicë demografike prej 84% serbësh etnikë, do të duhej të ishte në situatë më të favorshme në integrimin e komuniteteve dhe minoriteteve. Kjo do të ishte dashur të ndihmohej edhe nga fakti se Serbia kulturalisht, politikisht e shoqërisht është relativisht më moderne, më e zhvilluar, më e ndriçuar se fqinjët e saj jugorë. Kontributi i saj në dijen e artin e përbashkët botëror ka qenë më i madh sesa ai i shqiptarëve, e kjo do të ishte dashur të prodhonte një situatë më të emancipuar ndaj minoriteteve e grupeve që gjenden në situatë shpesh të pafavorshme.
Nga ana tjetër, Shqipëria, ku prej 1989 e deri në 2011 ruhet konstantja e 98% të popullsisë e cila ka për gjuhë nëne shqipen. Kjo mazhorancë thuajse totale në letër ngjan e tillë që do të mund të prodhonte një regjim kulturor monokromatik, asimilues e shtypës. Sidomos po të kemi parasysh varfërinë e madhe dhe ardhjen me vonesë të Shqipërisë në botën e qytetëruar, për shkaqe të ndryshme të historisë dhe gjeografisë së vet. Shqipëria konsiderohej vendi më i varfër e më i pazhvilluar i rajonit, deri në momentin kur Kosova u çlirua pas një lufte të përgjakshme. Sigurisht që varfëria nuk ndihmon në krijimin e konsensusit me minoritetet, do të thoshte shumëkush.
Po të marrim e të krahasojmë fillimet e shteteve-komb, aty ndoshta mbesim pak të zhgënjyer. Në fakt, Serbia bashkë me Greqinë janë dy shtete që në ngjizje fillimisht spastruan prej territoreve të çliruara myslimanët, shumica e të cilëve ishin serbë dhe grekë për nga etnia. Ndërsa nacionalizmi shqiptar, nuk e pati kurrë këtë vektorin shfarosës, jo për arsye të ndonjë mirësie gjenetike, por për shkak të rrethanave të tjera që e lindën. Por, do thoshte ndonjë opinionist, po të shohim shumë nga e shkuara rrezikojmë të mbetemi peng të saj (vini re se si kjo aksiomë gjithnjë e shpëton fajtorin, pasi çdo krim si i tillë është i kryer ekskluzivisht në të shkuarën).
Pra e lëmë pa e konsideruar periudhën e lindjes dhe formësimit të nacionalizmave, deri në Luftën e Dytë Botërore, e po ashtu komunizmin, i cili si ideologji bazohet në përfshirje të kujtdo, pa marrë parasysh etninë (edhe pse Rankoviçi hedh hije të mëdha mbi këtë pohim, pa qenë i vetmi).
Në postkomunizëm veç minoriteteve “autoktone” përballemi dhe me minoritete të tjera, të ardhurit apo imigrantët (pa llogaritur këtu vizitorët, që gjithashtu janë një lloj shfaqjeje minoritare, sado e përkohshme).
Se si është situata postkomuniste në Serbi me këtë le të merren më mirë ata që e njohin thellë atë vend. Sigurisht që fakti se e vetmja parti serbe (jo-minoritare) e cila pretendon se integrimi europian është më i rëndësishëm sesa ruajtja e Kosovës ka vetëm 3.3% të votave, tregon diçka. Krejt forcat e tjera politike, sidomos ato që tashmë janë në qeveri, karakterizohen prej pranimit të plotë apo të pjesshëm të doktrinës së nacionalizmit serb, i cili fatmirësisht apo fatkeqësisht është i zhvilluar në doktrinat e tij nëpër memorandume e dokumente të ndryshme që janë të konsultueshme nga të gjithë.
Por le të merremi me Shqipërinë. Pjesëmarrja e autorëve nga komunitetet etnike në letërsinë shqip ka prodhuar edhe autorë të mëdhenj të kësaj letërsie. Ndoshta është më lehtë të përfshish sportistë minoritarë në kombëtaren e futbollit sesa shkrimtarët me origjinë minoritare në letërsinë kombëtare. E megjithatë, kjo ka ndodhur me letërsinë shqipe dhe jo në një rast.
Ama edhe sportistët nuk duhen lënë pas, si shembuj. Fakti që shqiptarët e lindur në Serbi preferojnë të luajnë me Shqipërinë ndoshta është i ngjashëm me disa raste të grekëve të Shqipërisë, që kanë zgjedhur Greqinë. Por shembulli i Lefter Millos, talentit të fillimviteve ’90, i cili nuk pranoi të hiqte dorë nga kombëtarja shqiptare, edhe pse etnikisht grek, është shembull që tregon diçka…
Bash në situatën emocionale të krijuar pas ndeshjes së Beogradit, është me rëndësi të vihet re se si në kombëtaret e të rinjve të Shqipërisë edhe aktualisht ka futbollistë minoritarë, madje edhe malazezë vrakaçorë të Shkodrës. Vllaznia vazhdimisht ka shërbyer si shkollë edhe për ata, pa bërë kurrë diskriminime. Asnjë tifoz i Shqipërisë, aq më pak i Vllaznisë, nuk derdhi mllef ndaj Sinisha Rajkoviçit, talentit të ri që luan për ekipet kuqezi të moshave.
Po ashtu është me rëndësi të evidentohet sjellja e tifozëve shqiptarë, ku rasti më i mirë është tek ata të Partizanit të Tiranës. Spontanisht, pa dashur të vënë në dukje dallimet evidente mes dy Partizanëve, tifozët e FK Partizanit, ndërkohë që protestonin kundër vendimit të UEFA-s, kishin nxjerrë edhe një parullë të madhe ku shkruhej “Racic is one of us”. Në Shqipëri tifozët kurrë nuk kanë pasur probleme me etninë e lojtarëve, qofshin ata serbë, qofshin afrikanë etj. S’di a mund të thuhet e njëjta gjë për tifozët në vendin fqinj.
Në Tiranë serbët punojnë të patrazuar në bizneset e tyre që nuk janë thjesht furra buke, por më shpesh korporata tregtare e financiare, madje edhe në momente që normalisht janë delikate, siç ishte shenjtërimi i katedrales ortodokse shqiptare, ata nuk hasin në ndonjë problem kur shpallin publikisht simbolet e tyre. Njësoj ndodh edhe me minoritete të tjera.
Minoritetet e njohura nga shteti kanë shkollat e tyre publike dhe private dhe janë relativisht të integruara në sistemin shtetëror dhe në jetën ekonomike të Shqipërisë. Kurrë nuk ka shkuar ndonjë ministër shqiptar te ndonjë zonë minoritare për t’u dhënë nxënësve të vegjël mesazhe diskriminuese si “nuk keni për t’i marrë librat deri në momentin kur familjet tuaja do të paguajnë rrymën”, siç bëri ministri serb i arsimit në Preshevë, dy muaj më parë. Natyrisht, gjithçka mund dhe duhet të përmirësohet në lidhje me politikat ndaj minoriteteve në Shqipëri. Po ashtu, është e nevojshme të vihet në dukje një përjashtim i rëndësishëm në përshkrimin tonë, që ka të bëjë me romët. Situata me ta nuk është aspak idilike – dhe pse kam frikë se formulën për zgjidhjen e problemeve të romëve nuk e gjejmë dot në rajon, as në Europë…
Nëse Kosova do të duhej të zgjidhte një model të politikës për minoritetet, ndoshta do të ishte mirë të zgjidhej modeli i Shqipërisë, një ndër më harmonikët në Ballkan. Është një model i bashkëpunimit mes komuniteteve, pa pretenduar mbizotërime, dominime, spastrime apo “hakmarrje”. Por që të ndodhte kjo, Kosova do të duhej t’i rezistonte “serbizimit” të politikës së vet, proces që ndodh përmes tolerimit të barrikadimit në Mitrovicë, përmes decentralizimit etnik ndërkohë që do të duhej decentralizim ekonomik, përmes pranimit të formulave tip “Republika Serpska” për “Shoqatën e Komunave Serbe”, apo përmes pranimit të eksterritorialitetit për kishat e manastiret ortodokse. Të gjitha këto, bashkë me qëndrimin armiqësor të Serbisë ndaj Kosovës, rrezikojnë që ta “serbizojnë” sjelljen e shqiptarëve të Kosovës ndaj minoriteteve, duke e bërë modelin e Shqipërisë një model që ngjan naiv e që ngjan i largët.
Modeli që ofron Lëvizja VETËVENDOSJE! sa u përket minoriteteve është një model i respektit, i bashkëpunimit dhe i përfshirjes e jo i bullying-ut. Ky subjekt angazhohet kundër secilës iniciativë që synon të ngjallë urrejtjen etnike mes popujve. Pikërisht për këtë arsye ky subjekt aktualisht qëndron në opozitë të politikave zyrtare të Serbisë, si dhe të politikave zyrtare të Kosovës, të cilat po instalojnë një model të rrezikshëm në Kosovë, të barrikadimit, të izolimit, të ndarjes dhe instrumentalizimit, sa u përket politikave me minoritetet.
Top Channel