
Një aksident rrugor me pasojë vdekjen është verifikuar mëngjesin e së martës në Durrës, ku viktimë ka mbetur një grua 45-vjeçare.
Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave ngjarja ka ndodhur tek rrethrrotullimi i Kënetës, ku shtetasja Nazmie Hatoçi është goditur për vdekje nga një makinë teksa kalonte rrugën.
Mësohet se uniformat blu, të ndodhura pranë vendit të ngjarjes, kanë bërë të mundur ndalimin e drejtuesit të automjetit, i identifikuar me inicialet D.C.
Burimet shtojnë më tej se nga mbikëqyrja paraprake e vendit të ngjarjes dhe marrja në pyetje e dëshmitarëve dyshohet që shkak i aksidentit të jetë bërë neglizhenca e drejtuesit të mjetit.
Aksidentet rrugore nuk kanë qenë të pakëta që nga fillimi i muajit. Mëngjesin e së shtunës, një 60-vjeçar humbi jetën në Mirditë pasi motoçikleta me të cilën udhëtonte u përplas nga një automjet.
Ngjarja ndodhi në fshatin Shpal, ku 60-vjeçari Fran Laska humbi jetën menjëherë pasi u përplasur nga një kamion i drejtuar nga një 29-vjeçar.
Ndërsa të premten, një fëmijë vetëm 7 vjeç u plagos rëndë pasi u përplas nga një automjet. Ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin e Laçit, ku i mituri u përplas nga makina teksa ndodhej para kopshtit të qytetit.
7-vjeçari mori plagë mjaft të rënda nga përplasja dhe u dërgua menjëherë në spitalin e traumës në kryeqytet, ku fillimisht ndodhej në gjendje të rëndë për jetën. Në të dyja rastet policia arriti të ndalonte drejtuesit e automjeteve.
Top Channel