Një event ndërkombëtar i quajtur “Informal Mind”, ku dhjetëra artistë nga vendi dhe të huaj do të performojnë te ish-Metalurgjiku në Elbasan në disiplina të ndryshme, si aktrim, kërcim, film me metrazh të shkurtër, skulpturë dhe muzikë.

Artistët po shfrytëzojnë çdo minutë për të përmirësuar detajet e fundit deri në prezantimin final të punëve të tyre.

Si projekt i parë i këtij lloji në Shqipëri, kuratori Klod Dedja thotë se ai gjeneron kulturë artistike, e cila sipas tij i mungon shumë Shqipërisë.

“Duhet që media të qëndrojë më afër me artin. Ky event nuk është për Ministrinë e Kulturës apo për Kryeministrin, por është për njerëzit e thjeshtë, të cilët kanë ndërtuar këto ndërtesa për të mbijetuar, në anën tjetër kanë degraduar qytetin në këtë pikë”, u shpreh kuratori i eventit “Informal Mind”.

Laboratori kreativ i Metalurgjikut është rizgjuar. Edhe pak orë përgatitje ndajnë nga verdikti i publikut për artin që tashmë shtrihet në të.

Ema Andrea, drejtuese dhe organizatore e “Informal Mind” foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” për detaje të eventit i cili do të nisë sot në Elbasan.

Pandi Gjata: Si nisi ky event dhe pse rrugëtimi nisi nga Tirana kur e gjithë vëmendja do të jetë sot në Elbasan?

Ema Andrea: Ky event nisi si kërkim i natyrshëm i Klod Dedes dhe i imi. Ky event është një vokacion i brendshëm dhe një qasje shumë e fortë midis asaj që po ndodh me artin shqiptar dhe me jetën sociale shqiptare. Thirrjes tonë iu përgjigj shumë fort Sislej Xhafa që na besoi në idetë tona. Jam krenare që ishin ne ata të cilëve Sislej i besoj punën e tij në Metalurgjik dhe Klod Dedes i besoi kurimin e ekspozitës së tij të parë personale.

Pandi Gjata: Pse u zgjodh ish-Kombinati Metalurgjik i Elbasanit për art bashkëkohor?

Ema Andrea: Sepse është një hapësirë e cila të frymëzon, e cila në vetvete ka një histori shumë të rëndësishme dhe për fat të keq është një hapësirë e harruar. Jemi mësuar ta shikojmë artin gjithmonë në qendër, por pse jo arti të mos shkojë në Metalurgjikun e Elbasanit, i cili është përfaqësuesi më i fortë i ish-mendjes formale.

Pandi Gjata: Sa artistë do të marrin pjesë dhe ku do të ‘rrahin’ performancat e tyre?

Ema Andrea: Në këtë event do të marrin pjesë plotë 22 artistë. Shumica e tyre janë të lidhur fort me hapësirën. Është bërë një punë shumë profesionale dhe nuk është bërë një punë thjesht për të hapur një ekspozitë. Artistët kanë hulumtuar, janë qasur ndaj kësaj hapësire ndaj jetës sociale dhe kanë sjellë reagimet e tyre, por ka edhe të tjerë të cilët kanë përzgjedhur punë të tyre të cilat po i modifikojnë dhe po i përshtatin me hapësirën e Elbasanit. Këtë punë vinë nga galeritë më të mira të Europës.

Pandi Gjata: Ky aktivitet vjen disa muaj pas hapjes së shtëpisë së ish-diktatorit Enver Hoxha, një tjetër simbol për artin është ish-Kombinati Metalurgjik i Elbasanit. Pse këtë zgjedhje dhe çfarë imazhi përcjellin për artin, por edhe jashtë Shqipërisë?

Ema Andrea: Në një farë mënyre Shqipëria do të hyjë në ngjarjet e artit kontemporan, duke filluar me këtë apo me diçka tjetër dhe ndoshta mund të jetë qendra e artit bashkëkohor në Ballkan. E kemi marrë ne përsipër këtë risk, por jemi mbështetur për këtë.
 

Top Channel