Festivali i Teatrit në Elbasan

08/10/2014 00:00

Ka nisur mbrëmë në Teatrin “Skampa” të Elbasanit, edicioni i 16 i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove.

Në edicionin e sivjetshëm të këtij festivali do të performojnë 9 trupa teatrore nga vende të ndryshme, ku bie në sy pjesëmarrja e trupës teatrore të Azerbajxhanit.

Drejtori i festivalit, Adonis Filipi, duke theksuar logon e tij “Brenda dhe Jashtë”, tha se ndryshe nga vitet e tjera shfaqjet do të luhen edhe në ambiente të hapura.

“Festivali i sivjetshëm, me edicionin e këtij viti ‘Brenda e Jashtë’, pasuron atë traditë të vyer të kulturës tonë teatrore në Shqipëri. Janë gati 9 performanca që do të gjejnë vendin e tyre, brenda mjediseve të Teatrit Skampa dhe jashtë tij, si në Metalurgji, në mjediset e Kalasë. Sigurisht, vështirësitë kanë qenë të shumta, por në fund të fundit ai vazhdon rrugëtimin e tij falë pasionit, dashurisë dhe mbështetjes së veçantë të Bashkisë së Elbasanit”, tha Adonis Filipi, drejtor i festivalit.

Në natën e parë të festivalit u ngjit në skenë trupa e Teatrit “Skampa”, në bashkëpunim me trupën e Teatrit të Ferizajt, në Kosovë.

Drama “Departamenti AP” nga Jeton Neziraj, me regji të Adonis Filipit, trajton realitete të shoqërisë shqiptare gjatë periudhës së regjimit komunist. Më pas, në skenë u ngjit një trupë teatrore nga Italia, e cila solli për publikun “Unë jam lëkura”, nga Frederica Fragapane.

Top Channel