Rinis “Portokallia”

05/10/2014 00:00

Rivjen për publikun spektakli më i dashur i humorit, “Portokalli”, në sezonin e ri të tij, për të mbushur sërish të dielat me humor përmes batutave që vetëm ata, aktorët e “Portokallisë”, dinë t’i japin.

Regjisori Altin Basha thotë se risia e çeljes së këtij sezoni do të jenë gjetjet e veçanta.

“Pas një kohe audicionesh dhe analizash për personazhet e sezonit që kaloi, ne kemi bërë një përzgjedhje të atyre më të suksesshëm të vitit të kaluar, gjithashtu kemi zhvilluar edhe audicione të reja me të gjithë aktorët e Portokallisë. Në këto audicione kanë rezultuar disa personazhe shumë interesantë, disa gjetje të veçanta që nuk i kemi pasur deri më tani në Portokalli, të cilat lidhen shumë me tematike të rëndësishme politike apo sociale të Shqipërisë, e që mezi presim t’i paraqesim përpara publikut. Ndaj dhe mendoj se do të kemi një impakt shumë pozitiv”, u shpreh regjisori Basha.

Krahas karaktereve të reja, ndryshime do të ketë edhe në skenën e këtij shoë humori.

“Përveç kësaj, sigurisht ne kemi bërë disa ndryshime të vogla në skenografi, kemi disa aktorë të rinj që provohen për herë të parë në skenën e Portokallisë. Mendoj se do të jenë surpriza simpatike për publikun e madh të Portokallisë”, vijoi më tej Altin Basha.

Por, përveç personazheve dhe aktorëve të rinj, publiku pret me kërshëri daljen e humoristëve që për vite me radhë i ka ndjekur përmes ekranit të Top Channel, me batutat e të cilëve kanë qeshur për shumë të diela. Çdo të bëhet me personazhet e dashur të humorit?

“Një pjesë e mirë e tyre, ata që ne kemi menduar se na kanë rezultuar të suksesshëm, do të jenë sërish, por në rrethana të reja, të cilat do ta zbukurojnë të gjithë kurorën e personazheve të rinj të Portokallisë”, përfundoi regjisori Basha.

Që prej ditës së sotme, 5 Tetor, “Portokalli” rinis për të na dhuruar deri në fillim të sezonit veror shumë të qeshura.

Top Channel