Kulti i Enverit, liria e njeriut dhe patriotizmi

05/10/2014 00:00

Andrea Stefani – Sa e çuditshme, aq edhe e kuptueshme por, në këtë jubile të çlirimit, këmbëngul prirja për të vlerësuar objektivisht diktatorin komunist Enver Hoxha.

Por ç’ka për të vlerësuar objektivisht kur është provuar në 45 vjet diktaturë se ai qe diktator?! Një diktator është diktator dhe si i tillë vlerësohet. Është kaq aksiomatike sa nuk mund të mos të të kujtohet episodi i Evarist Gluasë, që goditi me fshirëse mësuesin e matematikës, sepse i kërkonte vërtetimin e një përfundimi evident! E megjithatë ia vlen të kërkosh, të kuptosh se ç’e shkakton këtë prirje për të qëmtuar, në emër të “objektivitetit historik”, edhe disa “të mira” brenda një të keqeje të gjithëpranuar, sikundër ishin diktatura dhe diktatori.

***

Mendojmë se pështjellimin kryesor e shkakton ndarja e patriotizmit nga liria e njeriut. Dhe një vlerësim objektiv i Enver Hoxhës siç qe, pra një diktator, kërkon të përcaktohen qartë raportet e patriotizmit jo thjesht me çlirimin e vendit nga pushtuesi, por mbi të gjitha, me lirinë dhe të drejtat e njeriut. Liria kombëtare, përpjekja kundër pushtuesit të huaj janë vetëm një nga përmasat e patriotizmit. Por ato nuk mjaftojnë. Që patriotizmi të mos jetë i gjymtë dhe që të mos manipulohet e keqpërdoret për të themeluar një tjetër shtypje, kërkohet edhe dedikimi për lirinë shoqërore, lirinë e njeriut. Nëse lufton për çlirimin nga pushtimi dhe shtypja e huaj por më pas, kontribuon që kjo shtypje të zëvendësohet me një tjetër shtypje jo të huaj, me një shtypje të shqiptarit nga shqiptari, nuk mund të jesh patriot. Nuk mund të jetë patriot kush skllavëron apo kontribuon për skllavërimin e bashkatdhetarëve të vet. Nuk mund të jetë patriot kush ngre në sistem dhe shpall të drejtë dhunimin e pronës dhe jetës së njerëzve, burgosjen, pushkatimin dhe internimin e tyre vetëm sepse kanë bindje apo simpati politike të ndryshme nga ato të qeverisë. Patriotizmi si humanizëm, nuk mund të shërbejë si themel i dhunimit të të drejtave dhe lirive të njeriut. Prandaj Enver Hoxha, si themelues i një diktature antiliri për shqiptarët, nuk ka qenë kurrë patriot. Ta ndash patriotizmin nga liria e njeriut të çon në gabimin, ku mjerisht ka rënë edhe Rexhep Qosja, që diktatorin ta shpallësh patriot. Patriotizmi dhe shtypja nuk ecin kurrë krah për krah. Patriotizmi ka bashkëluftëtar dhe qëllim të pandarë lirinë dhe të drejtat e njeriut. Patriot i vërtetë është vetëm ai që investohet e përpiqet pa u lodhur për të mbjellë shpirtin e lirisë te bashkatdhetarët e vet, si dhe për të krijuar institucione të qëndrueshme që mbrojnë të drejtat e tyre nga pushtete autokratike apo të korruptuara. Në këtë kuptim, nuk janë patriotë as ata liderë dhe politikanë të sotëm, që bërtasin për demokraci e liri, por që në praktikë punojnë për sabotimin e sistemit të institucioneve që promovojnë, mbrojnë dhe jetëgjatësojnë liritë dhe të drejtat e njerëzve.

***

Për rrethana të caktuara historike (që më së shumti kanë të bëjnë me mbetjen për thuajse 5 shekuj nën sundimin e një perandorie orientale si ajo e osmanëve) shqiptarët nuk kanë qenë asnjëherë të lidhur fort me lirinë individuale. Kjo e fundit nuk duhet ngatërruar me atë që nuk ka asgjë të përbashkët me lirinë e njeriut, por mjaft e pranishme edhe sot mes shqiptarëve, anarkinë. I ka preokupuar liria e Atdheut, por aspak liria e njeriut në vetvete. Edhe rilindja kombëtare u zhvillua në këtë frymë. U glorifikua si domosdoshmëri çlirimi nga pushtimi turk, dhe me të drejtë, liria kombëtare. Por një gjë e tillë nuk u shoqërua me një mendim filozofik e politik lidhur me lirinë shoqërore e aq më pak, me një projekt politik që do të shtynte, pas pavarësimit, drejt garantimit të lirive qytetare, lirisë së njeriut. Ndarja e patriotizmit nga liritë dhe të drejtat e njeriut, ka qenë shkaku kryesor që, pas çlirimit nga pushtuesit e huaj, shqiptarët në vend të lirisë janë takuar me skllavërinë, shtypjen, diktaturën. E rëndësishme ishte që Atdheu të ishte i lirë, se për sa u takon shqiptarëve, qenia nën sundimin e dikujt që nuk ishte i huaj, shikohej si një gjendje e natyrshme e gjërave. Atdheu dhe individi ishin shkrirë në një. Kur Atdheu qe i lirë, domethënë i papushtuar, edhe njeriu ishte “i lirë” edhe pse i shtypur. Sepse, në fakt, individi nuk ekzistonte. Kishte vetëm masë.

***

Gjendja e pushtimit, varfëria e skajshme e vendit si dhe mungesa thuajse totale e zhvillimit të mendësisë së lirisë te shqiptarët, ishte një truall shumë i favorshëm që një lëvizje bolshevike si ajo e udhëhequr nga Enver Hoxha të shfrytëzonte me sukses në favor të revolucionit komunist, pasionet patriotike dhe një dashuri për atdheun, por pa lidhje me liritë dhe të drejtat e njeriut. Arsyeja patriotike u instrumentalizua nga komunistët, duke u shndërruar në mjet për arritjen e një prej qëllimeve më antipatriotike që mund të gjenden, vendosjen e një diktature nga më të egrat në botë. Arsyeja instrumentale, ajo që Horkhajmer e konstaton si gjymtim në botën perëndimore për shkak të subjektivimit të arsyes nën ndikimin edhe të shkencës dhe konsumizmit artificial, në Shqipëri, gjatë viteve të Luftës II Botërore, ishte rrjedhojë e një prapambetjeje, e një obskurantizmi të thellë edhe në mendim. Prandaj komunistët e patën shumë të lehtë të manipulonin pasionet e turmave, duke servirur slogane dhe emërtime me tingëllim tërheqës si “Liri popullit!”, “Shqipëri Demokratike”, “Qeveri demokratike popullore”. Tashmë koha ka provuar se as liri nuk pati, as Shqipëria nuk u bë demokratike, por përkundrazi u vendos diktatura. Por në atë kohë, qe e pamundur që kritika e praktikës politike të ndjekur nga komunistët të nxirrte në dritë edhe hipokrizinë e nominalizmit liberalo-demokratik që ata hodhën në qarkullim. Sepse fjalët “demokraci”, “popull” nuk ishin koncepte të lidhura me një zinxhir parimesh që i imponoheshin praktikës politike. Ato ishin thjesht fjalë, emra të zbrazët, pa lidhje me kritere objektive gjykimi dhe, si të tilla, të interpretueshme nga gjithkush sipas qëllimeve të veta. Kështu komunistët mund të pretendojnë, edhe sot e kësaj dite, se ndërsa u premtonin shqiptarëve demokracinë pas lufte nuk gënjenin aspak. Sepse sipas asaj që Marksi ka shkruar në Manifestin e Partisë Komuniste, “hapi i parë në revolucionin punëtor është shndërrimi i proletariatit në klasë sunduese, vendosja e demokracisë”. Për komunistët, diktatura është demokraci. Por sa shqiptarë e dinin këtë gjatë kohës së Luftës për Çlirim? Dhe kur e morën vesh ishte shumë vonë.

***

Ndarja e patriotizmit nga liritë dhe të drejtat e njeriut, moskonceptimi i patriotizmit si humanizëm i lidhur me lirinë e njeriut, është shkaku që edhe sot e kësaj dite, ka shtresa njerëzish që e perceptojnë ish-diktatorin Hoxha si patriot! A ka paradoks më të madh se ky? E megjithatë, kjo është e keqja më e vogël. Zhvillimi i mangët i institucioneve që nxisin e mbrojnë liritë e njeriut (drejtësia e pavarur për shembull) e bashkë me to, edhe mungesa e mendësisë së lirisë, mos shndërrimi i lirisë në bindje, në një mendim të rrënjosur në shpirtin, në karakterin e njerëzve, ka pamundësuar edhe demaskimin e premtimeve për “demokraci” e “liri” të liderëve të sotëm me praktikat apo politikat e tyre antiliri dhe antidemokraci. Është tragjikomike të shohësh sesi, mbi 24 vjet pas rënies së diktaturës komuniste, “demokratët” sulmojnë kundërshtarët e tyre me të njëjtën egërsi dhe intolerancë tipike për komunistët. Dhe i stigmatizojnë “tradhtarë”! Nuk kanë arritur të kuptojnë se “tradhtia”, si stigmatë, nuk qe gjë tjetër veçse dukuria e monopolizmit të “patriotizmit” nga pushteti komunist, si dhe shtypja e lirisë për ta dashur atdheun në mënyrë jokomuniste!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA