Gjykata e Durrësit vendos masën e sigurisë “arrest me burg” për
drejtorin e Burgut të Rrogozhinës, Ferdinand Doksanin, i dyshuar për
kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”.

E njëjta masë është dhënë edhe për dy mjekët, të dyshuar për veprën penale “Falsifikim të dokumenteve” nga personat që kanë për lëshimin e tyre. Vendimi i gjykatës është ekzekutuar nga ana e forcave të Drejtorisë së Policisë së Durrësit. Në bazë të hetimit rezulton se në të paktën 11 raste gjatë periudhës prill-korrik 2013, këta zyrtarë, në shkelje të detyrave të tyre, kanë dhënë leje shpërblyese për të dënuar që nuk u takon leja e akorduar, për shkak të veprës së rëndë penale për të cilën janë dënuar dhe kohës së dënimit që u ka mbetur për të vuajtur.

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin pas një ngjarjeje të rëndë të ndodhur në muajin korrik në Durrës, ku shtetasi SH.M., i dënuar, për “vrasje me dashje” ka marrë leje nga burgu dhe ka kryer një tjetër vepër të rëndë penale (vrasje, e cila ka mbetur në tentativë) në zonën e Plazhit, në Durrës. Në kuadër të hetimeve për këtë ngjarje, si edhe për faktin se si e ka përfituar lejen ky shtetas i dënuar, Prokuroria e Durrësit ka tërhequr praktikën nga Burgu i Rrogozhinës. Nga studimi i akteve ka rezultuar se i dënuari ka përfituar leje, me pretendimin se nëna e tij ishte e sëmurë. Ky pretendim vërtetohej, sipas tij, nga një epikrizë e Spitalit Rajonal të Durrësit. Kjo epikrizë, e cila siç rezultoi nga hetimi ishte tërësisht e falsifikuar, është vërtetuar edhe nga mjekët e Burgut të Rrogozhinës, Konda dhe Hate, të cilët kanë deklaruar në dokumentet përkatëse se kanë kryer verifikimet e nevojshme. Krahas falsifikimit të mjekëve, në këtë rast, edhe drejtori i burgut ka shpërdoruar detyrën, pasi sipas udhëzimit të ministrit të Drejtësisë “Për rregullimin e disa çështjeve që kanë të bëjnë me procedurën e dhënies së lejeve shpërblyese apo të veçanta personave të dënuar me burgim”. Në këtë udhëzim përcaktohet se “…për të dënuarit që kanë më shumë se 5 vite burg për të vuajtur, nuk do të miratohet leje e veçantë pa shoqërim…”. Në rastin e SH. M., i dënuar me 8 vjet burgim, nga të cilat ka kryer vetëm dy nuk është respektuar ky detyrim, pasi krahas falsifikimit të dokumenteve, ky person nuk mund të përfitonte leje ose nëse do t’i akordohej, duhej të ishte i shoqëruar. Rezulton që të dënuarit SH. M. i është akorduar leja dhe nuk ka qenë i shoqëruar, gjë që provohet lehtësisht nga fakti se ai, gjatë ditëve të lejes nga burgu, ka kryer një tjetër vepër të rëndë penale, për të cilën është aktualisht në hetim.

Top Channel