Obama informon Kongresin mbi strategjinë ndaj IS

09/09/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama do të takohet në orët në vijim me liderët e Kongresit, për të përshkruar nismën e tij për një fushatë më të gjerë ushtarake kundër militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.

Ai do të diskutojë strategjinë e tij me liderë nga të dyja partitë, në Shtëpinë e Bardhë më 15:00 me orën lokale, apo 22:00 me orën tonë. Ky informim vjen përpara fjalimit të planifikuar të tij përpara kombit, ditën e mërkurë.

Nuk është ende e qartë nëse Presidenti do të kërkojë autorizimin e Kongresit për një rol më të madh ushtarak. Takimi i së martës me liderët e Kongresit vjen një vit pasi ligjvënësit bllokuan planin e mëparshëm të Obamës, për sulme ajrore ndaj Sirisë.

Që prej atëherë, grupi xhihadis IS ka marrë kontrollin e rajoneve të gjera në Irak dhe Siri. Në Qershor, ata deklaruan krijimin e një “kalifati”, apo Shtetin Islamik. Në muajt në vazhdim, militantët e IS kanë ekzekutuar me prerje koke dy gazetarë amerikanë, në shenjë proteste kundër sulmeve ajrore të Amerikës ndaj forcave islamike në Irak.

Obama ka përjashtuar mundësinë e një operacioni nga toka të Amerikës kundër IS, por ka paralajmëruar se mund të zgjerojë sulmet ajrore duke përfshirë edhe Sirinë.

“Përgjatë një muaji, ne jo vetëm që do të kemi mundësi të dobësojmë vrullin e IS, – tha ai gjatë së dielës, – por do të degradojmë sistematikisht aftësitë e tyre. Do të ngushtojmë gjithnjë e më shumë territorin e kontrolluar prej tyre dhe, së fundi, do t’i mposhtim ata”.

Top Channel