Ukraina “fiton epërsi” në luftën me Rusinë/ Axios: Mund të sulmojë kudo dhe kurdo që të dëshirojë, madje edhe në Moskë ose Shën Petersburg
Rusia mund t’i ofrojë azil politik miliarderit Elon Musk, pas përplasjes së tij me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Musk dhe Trump, të parë si aleatë të ngushtë që nga zgjedhjet presidenciale të SHBA-së të vitit 2024, shkëmbyen kërcënime të enjten për kontratat e revokuara qeveritare dhe shkarkimin e tij, pasi njeriu më i pasur në botë kritikoi projektligjin gjithëpërfshirës të taksave dhe shpenzimeve të presidentit republikan, sipas medias së huaj.
“Nëse ai [kishte nevojë për azil politik], sigurisht, Rusia mund ta ofronte atë”, tha Dmitry Novikov, nënkryetari i parë i Komitetit të Çështjeve Ndërkombëtare, në komentet për agjencinë shtetërore të lajmeve TASS.
Megjithatë, Novikov, një anëtar i Partisë Komuniste, tha se beson që Musk “po luan një lojë krejtësisht të ndryshme dhe nuk do të ketë nevojë për azil politik”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk pranoi të jepte mendimin e tij për këtë mosmarrëveshje kur iu kërkua të komentonte të premten.
“Kjo është një çështje e brendshme e Shteteve të Bashkuara dhe ne nuk kemi ndërmend të ndërhyjmë”, u tha Peskov gazetarëve. “Jemi të bindur se presidenti i SHBA-së do ta trajtojë këtë situatë vetë.”
Rusia më parë i ka dhënë azil informatorit amerikan Edward Snowden dhe blogerit britanik pro-Kremlin Graham Phillips.
Musk dha dorëheqjen javën e kaluar si kreu i një agjencie federale, të njohur si DOGE, që synonte uljen e shpenzimeve të qeverisë amerikane. Ai tha se projektligji i shpenzimeve i Trump do të shtonte borxhin e SHBA-së, duke e bërë presidentin të thoshte se ishte “shumë i zhgënjyer” nga kritikat e miliarderit.
Musk, i cili dhuroi 300 milionë dollarë për fushatën e Trump në vitin 2024, më vonë argumentoi se presidenti republikan nuk do të kishte fituar rizgjedhjen pa mbështetjen e tij.
Përplasja ka tronditur tashmë tregjet, me aksionet e Teslës së Muskut që kanë rënë ndjeshëm dhe miliarderi që është zotuar të përfundojë një program kyç hapësinor amerikan.
Top Channel