Samiti i NATO-s në Uells

05/09/2014 00:00

Takimi më i rëndësishëm i NATO-s prej dekadash të tëra e mbylli ditën e parë të punimeve me shpresat e një armëpushimi të përforcuara nga pohimet e presidentit Petro Poroshenko se mund të arrihet një marrëveshje me Rusinë për fundin e luftimeve në lindje të vendit.

Bisedime të reja mes përfaqësuesve të Kievit, Moskës dhe rebelëve pro-rusë do të mbahen këtë pasdite në Bjellorusi. Por, ndërsa diplomacia përpiqet të gjejë një zgjidhje të ngërçit, trazirat në terren vazhdojnë me raportet për një valë bombardimesh në afërsi të qytetit port të Mariupolit.

Pritshmëritë e Poroshenkos për nënshkrimin e një plani paqeje sot në Minsk përcollën një farë optimizmi: “Nëse konfirmohet dhe takimi mbahet vërtet, do të mbledhë stafin e përgjithshëm të ushtrisë e do të urdhërojë vendosjen e armëpushimit. Shpresoj që implementimi i planit të paqes të nisë sa më shpejt. Të gjithë partnerët tanë e urojnë një gjë të tillë.”

Por, të mësuara tashmë me përsëritjen e skenarit të mbërritjes në prag të marrëveshjes dhe shembjes së negociatave në momentin e fundit, vendet perëndimore po e përgatisin për çdo rast raundin tjetër të sanksioneve ndëshkuese ndaj Moskës. Jo më kot, Anders Fogh Rasmussen përdori fjalë të ashpra për Rusinë duke thënë se “flet për paqe, por nuk ka lëvizur as gishtin për arritjen e saj”.

“Rusia është duke luftuar kundër Ukrainës brenda në Ukrainë. Trupat ruse dhe tanket ruse janë duke sulmuar trupat ukrainase. E ndërsa flet për paqe, Moska nuk ka hedhur asnjë hap drejt arritjes së saj. Në vend që të ndihmojë në çtensionimin e situatës, ajo vetëm sa e përshkallëzon akoma më shumë”, tha Rasmussen.
 
Shqetësime u shprehën edhe për Lindjen e Mesme dhe Afganistanin. Që në çelje të takimit, shefi i Aleancës ushtarake e bëri të qartë se ndalimi i avancimit të mëtejshëm të ISIS-it është një detyrim i komunitetit ndërkombëtar. Rasmuseni preku edhe situatën politike në Afganistan. Ai u bëri thirrje udhëheqësve afganë të zgjidhin situatën me zgjedhjet presidenciale dhe të arrijnë një marrëveshje që do t’u lejojë vendeve të NATO-s të qendrojnë në vend edhe pas vitit 2014.

Top Channel