E sigurt që pushime të tilla s’kanë kaluar kurrë më parë. Jo se kanë zgjedhur vende ekzotike apo mënyra pushimi të çuditshme, por sepse vëmendja ndaj tyre ka qenë në maksimum.

Fama që kanë fituar nga “MasterChef” i ka bërë ata kuzhinierët më të dashur për njerëzit dhe sigurisht pushimet e tyre më të veçanta.  

Po ku kanë pushuar protagonistët e MasterChef?

Gëzim Musliaka i është rikthyer përditshmërisë që prej mesit të gushtit. Për shumë vite ka pushuar me familjen jashtë Shqipërisë, por këtë vit zgjodhi bregdetin e jugut në Qeparo e Bunec. Vende që i kanë dhënë mundësi edhe të merrej me pasionin e tij: fotografimin e pamjeve piktoreske për t’i kthyer më pas në tabllo.

I frymëzuar tashmë është kthyer në restorant dhe është fokusuar tek libri i tij që shumë shpejt do të jetë në duart e të gjithëve: “Është një pjesë që përveç pamjeve të bukura nga ana gastronomike, kam rigjetur erëza dhe bimë në gjendje të egër dhe jo derivatet që ne njohim dhe përdorim sot. Jam relaksuar në diell dhe kthehem me ide të reja që do t’i vë në praktikë në restorantin tim shumë shpejt.”
 
Renato Mekolli është shefi që ka bërë pushimet më të gjata. Edhe pse organizimin e tyre e ka lënë për në minutën e fundit. Nga ishujt e Greqisë në Stamboll, Itali dhe sërish në ishujt e Greqisë dhe pushimet e tij vazhdojnë…  Renato është shumë i lidhur me detin, diellin dhe sportet e verës dhe këto kanë qenë pushimet perfekte! Të cilat ai i ka shijuar si pasha i vërtetë!

Ndryshe nga sa mund të mendohet se fituesi i “MasterChef Albania”, Alfio Rrotani, ka bërë pushime ekzotike rrethuar nga fanse të shumta, në të vërtetë ai ka zgjedhur krejt tjetër gjë, pushime me familjen e madhe: “Ky është viti i parë që i kalova tamam siç duhet, në familje, me shoqëri…
Pushimet e mia ishin shumë të shkurtra. 10 dite dhe në atë kohë erdhi kunati, motra e kushurinjtë që për më tepër janë shokë shumë të mirë sepse jemi rritur bashkë. Kam patur shumë dasma, shumë njerëz për të takuar pasi kisha vite që nuk i shihja. Kisha 5 muaj që nuk shkoja në Shkodër. Pushimet kanë qenë në Shkodër dhe rreth saj. 3 orë në plazhe, pastaj në dasmë…”
 
Ndërsa për finalistin Miklovan Zeqo pushimet zgjatën më shumë. Edhe pse nuk ishte fitues, ai e ka shijuar vërtete famën që i dha “MasterChef”, jo vetëm në Ksamil, ku pushoi një javë me të fejuarën e tij, Anisën, por edhe në Itali: “Unë shkova në Itali të takoja motrën dhe shoqërinë, më thanë “tani je VIP, hyn falas, pi falas”.”
 
Jo në pak raste ka qenë Anisa ajo që ka bërë rolin e fotografes.

Pushimet përfunduan dhe shefat i presin orë të gjata në kuzhinë. Pjesa më e vështirë kaloi, dita e parë pas pushimeve…
 
“Dita e parë kur kthehesh nga pushimet është si një grusht”, thotë Alfio.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel