Vijon debati për pallatin tek Liqeni

21/08/2014 00:00

Ka vijuar edhe të enjten debati për ndërtimin e kompleksit të pallateve shumëkatëshe tek zona e Liqenit. Deputetja Vasilika Hysi akuzoi kryebashkiakun Lulzim Basha se nuk mbajti premtimin e dhënë për të ndërtuar pallatin sportiv, por do të ndërtojë bllokun më të madh të pallateve. Ndaj, sipas socialistëve, ai duhet të dorëhiqet.

“Ai jo vetëm nuk po ndërton parkun më të madh të Ballkanit, por po e shkatërron atë dhe po e bën në momentet kur po i vjen fundi në karrike, të cilën e ka marrë jo me zgjedhje por me vjedhje. Ai ka dhënë leje për të hapur gropa për ndërtimin e pallateve që do t’i marrin frymën Tiranës. Luli është më i ri se Berisha, por gënjeshtrat i ka më të mëdha se ai”, deklaroi Hysi.

Por nënkryetarja e bashkisë, Nevila Xhindi tha se ky projekt nuk e cënon hapësirën publike të Tiranës, por e shton atë. Ajo akuzoi Edi Ramën se në kohën që ishte kryebashkiak e betonizoi kryeqytetin.

“Për çfarë ankohet Edi Rama, kur projekti i tij shfrytëzonte mbi 70 për qind të sipërfaqes totale, duke përfshirë edhe sipërfaqen e pishinave, ndërsa projekti aktual përfshin 40 për qind të truallit privat dhe kthen 20 mijë metra katrorë në hapësirë publike? Rama ankohet për interesat e paligjshme të sekserëve të tij, të cilëve nuk iu përmbushën interesat e projekteve të tyre. Kur Ramës i intereson kaq shumë Tirana, përse ktheu në sheshe ndërtimi mbi 65 mijë metra katrorë lulishte e hapësira të gjelbra në zemër të kryeqytetit”, deklaroi Xhindi.  

Top Channel