Tiranë, zbulohet punishtja e pijeve false

21/08/2014 00:00

Policia e kryeqytetit ka bastisur paraditen e së enjtes dhe më pas ka konfiskuar një ambjent privat ku dyshohej se prodhoheshin pije freskuese të falsifikuara.

Në kuadër të operacionit, agjentët e anti-krimit financiar kanë vënë në pranga një 28-vjeçar, nën dyshimin se menaxhonte procesin e falsifikimit të lëngjeve.

Burime policore zyrtare bëjnë me dije se shtetasi Lutfi Karamuça përdorte një pjesë të shtëpisë së tij në lagjen Lanabregas pikërisht për këtë aktivitet të paligjshëm.

Ai përdorte emërtimin “ATEL 01” për prodhimet, në një kohë kur firma e pretenduar nuk ishte e deklaruar tek organet shtetërore dhe nuk kishte kasë fiskale.

Për rrjedhojë agjentët kanë mbyllur punishten dhe kanë sekuestruar makineritë e përdorura në të, ndërsa pronari i tyre ka përfunduar në pranga nën akuzën e prodhimit dhe shitjes së produkteve të rrezikshme për shëndetin.

Top Channel