Ndëshkimi i krimit seksual

20/08/2014 00:00

Duke marrë shkas nga ngjarja tronditëse e Sarandes, ku kërkohej favor seksual me një të mitur në këmbim të një vendi pune, deputetja Majlinda Bregu i është kthyer një nisme të hershme të saj për të kriminalizuar dhe ndëshkuar dhunën në familje, duke krijuar më shumë siguri ligjore për gratë dhe fëmijët.

Një vit pas miratimit të kësaj nisme që ndryshoi Kodin Penal, deputetja Majlinda Bregu i ka kërkuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë të nisë një inspektim të veçantë për të kuptuar se sa dhe si gjykatat shqiptare kanë zbatuar legjislacionin për veprat penale të krimit seksual, kundër lirisë së personit, kundër moralit dhe dinjitetit dhe kundër veprave penale ndaj fëmijëve.

Ish-ministrja e Integrimit ka kërkuar edhe një informacion nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri për të kuptuar sesa vajzat dhe gratë kanë qenë viktima të dhunës dhe sesi Policia e Shtetit ka kryer detyrën e saj për të ndjekur rastet në gjykatë si palë paditëse.

Zonja Bregu thotë se ndryshimet që i janë bërë ligjit ia lejojnë policisë një rol të tillë, edhe në rast të tërheqjes së denoncimit nga pala e dëmtuar. Nga ana tjetër Partia Demokratike, duke u kërkuar vajzave dhe grave të ngrenë zërin për çdo dhunim që u bëhet të drejtave të tyre, bëri edhe një kërkesë për Prokurorinë e Përgjithshme.

“Ne kërkojmë drejtësi të shpejtë dhe shembullore për këtë shkelje të ligjit dhe të çdo kodi, norme e morali në vendin tonë. Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme të kalojë në sitë këtë mekanizëm kriminal e pervers punësimi, në të gjitha zyrat e e Partisë Socialiste në Shqipëri”, deklaroi deputetja Voltana Ademi.

Top Channel