Të martën, Agron Cane del para gjykatës për masën e arrestit. Ai akuzohet se kërkoi marrëdhënie seksuale me një të mitur 14 vjeçe, në shkëmbim të një vendi pune për të ëmën.
Kjo e fundit kërkon siguri për veten dhe fëmijët, pasi ka dyshime se persona që nuk i njeh janë duke u përpjekur t’i afrohen banesës së saj.
E gjithë familja, sipas saj, menjëherë pas denoncimit gjendet nën tension psikologjik dhe ka nevojë për ndihmë. Ajo thotë se ka bërë veprimin e duhur dhe se hetimet duhet të shtrihen edhe në rastet e tjera të mundshme.
“Më merr në telefon ky zotëria, Agron Cane dhe më pyet për vajzën. I them që vajza është e sëmurë. Vazhdon në atë gjendje dhe ka marrë ilaçet. Më thotë në rregull, do të shërohet vajza dhe unë pres. Domethënë ky priste që vajza ime të shoqërohej dhe të shkonte tek ai person. Ai ecte me dëshirën që unë t’i çoja vajzën, gjënë më të shtrenjtë, me duart e mia. Prisja se si do të reagonte më vonë. Më merr prap në telefon pas ca ditësh dhe më pyet si është vajza. I them është mirë. Në rregull, më thotë, ma sill në zyrë. Ejani të dyja në zyrë. Nëse kërkon vajzën time në zyrë, ai ishte i përgatitur për të bërë aktin seksual me vajzën time dhe me mua bashkë. Shikoja shumë nëna, shikoja të njëjtat fytyra përditë, që i mashtronte besoj. Nuk e di sa e vërtetë është. Duke ikur rrugës mendova, ky siç më poshtëron mua, ky poshtëron shumë nëna, shumë femra, shumë vajza. Atje shkonin vajza të reja me diploma që kërkonin punë. Ky kur m’u shpreh mua kështu, çfarë mund të ketë bërë me shumë nëna të tjera?!”, thotë Elvira Gega.
Nëna e katër fëmijëve jeton në varfëri dhe dëshpërim të thellë, ndërsa vuan nga një sëmundje e shtyllës kurrizore. Pas humbjes së bashkëshortit ka vetëm një ndihmë prej 3 mijë lekësh në muaj, ndërsa tre fëmijët i strehoi përkohësisht në jetimore, sepse nuk iu siguronte dot ushqim.
“Unë fëmijët i kam të regjistruar në një jetimore dhe më shumë mundohem që të rrijnë atje, jo se unë nuk i dua fëmijët e mi. Më lëndon fakti që fëmijët e mi janë atje, por të paktën nuk do t’u mungojë ai ushqimi që unë nuk kam mundësi t’ua siguroj”, thotë mes lotësh nëna e katër fëmijëve.
Top Channel