Festa e birrës në Korçë

18/08/2014 00:00

Është mbyllur të dielën në mbrëmje, pas pesë ditësh, “Festa e birrës” në qytetin e Korçës.

Kjo festë, tashmë e shndërruar në një traditë në këtë qytet, ka mbledhur me mijëra qytetarë, të cilët kanë festuar duke shijuar edhe tingujt e muzikës nga dhjetra artistë, që performuan në skenë.

Sipas kryetarit të Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, këtë vit edhe Bashkia ka pasur një rol më të madh në këtë festë.

“Ajo që ka qenë e veçantë këtë vit, për të cilën është kujdesur Bashkia e Korçës, është që të ofrojë një paketë të plotë aktivitetesh, jo vetëm këtu në vendin ku organizohet festa e birrës gjatë natës, por edhe në qytet. Kemi pasur aktivitete të aeronautikës, muzeumet kanë qenë të hapura për të pritur vizitorë vendas dhe të huaj, kemi pasur ekspozita pikture, ndërkohë që edhe në një numër të madh lokalesh të qytetit është ofruar birra në kuadrin e sloganit, që kemi pasur këtë vit ‘Korça, birrë zone’. Është një festë që njeh rritje nga viti në vit, apo që është kthyer dalëngadalë në një sinonim të qytetit të Korçës”, u shpreh kreu i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo.

Nën sloganin “Birrë zone”, për të tetin vit radhazi, Korça u shndërrua në qendrën e festimeve të shumta në rrugët e këtij qyteti, nga turistë jo vetëm vendas, por edhe të huaj.

Sipari i festës është çelur me serenata korçare e më pas janë disa grupe muzikore si banda e Altin Gocit, ajo e Eugen Bushpepajt e deri tek qershia mbi tortë e mbrëmjes, të ftuarit ndërkombëtarë Emil Lassarya dhe Catyleen me hitet më të famshme, “Guantanamera”, “Tu amor”.

Top Channel