Vapa e gushtit do sjellë një vjeshtë të nxehtë politike

16/08/2014 00:00

Nga Zamira Cavo – Duket jashtë çdo logjike që në mesin e vapës së mesgushtit, njerëzit të mendojnë e të flasin për politikë. Por ja që ky vit duket sikur po përsërit gushtin e largët të 1998… Nuk po ndalem për ta kujtuar me detaje atë verë, por pasojat e temperaturës që u ngrit në vapën e verës e “vuajti” shtatori. 14 shtatori i atij viti ishte një përpjekje e dështuar, por e dhimbshme e Sali Berishës për të rimarrë pushtetin duke djegur vendin.

Sigurisht që kjo nuk mund të ndodhë më. Por Sali Berisha e ka shumë të vështirë të pranojë dështimet, të pranojë humbjen dhe aq më tepër të pranojë që të gjykohet. Si politikan i rrahur “me vaj e uthull”, ai ka përdorur dhe natyrisht do të përdorë gjithçka e këdo për të siguruar veten. Ai, jam e bindur, do të “thërrasë” për ndihmë këdo të cilit ia ka mbuluar krimet, që ia ka mbuluar vjedhjet dhe vrasjet!

Ai nuk do lërë gjë pa “përdorur” për të sjellë destabilitet, sepse vetëm kështu bëhet edhe njëherë faktor politik. Ka vetëm një pengesë: popullin, i cili sot 16 vjet më vonë është më i mençur dhe më i pjekur politikisht se atëherë. Le të analizojmë faktet për të kuptuar thelbin:

Ka vetëm pak ditë kur z. Berisha doli në mes të vapës në një konferencë për shtyp. Nuk ka ndodhur kjo as kur ishte Kryeministër. Media atëherë merrej lehtësisht me rekordet e tij të notit. Ai u detyrua të dilte në media nga situata që i është krijuar. Volli vrerin e zakonshëm.

Por në mes rreshtave nuk mund të mos kuptoje shqetësimin e tij të madh për ngjarjen në Bankën e Shqipërisë. Berisha e kaloi thatë këtë ngjarje dhe pse doli në këtë konferencë, jo se u merakos për Universitetet apo CEZ-in, por sepse e di se nëse skandali i Bankës shkon edhe pak më thellë, do të jetë e pamundur të mbulohet dhe roli i tij në këtë skandal. Vjedhja në BSH nuk është problem shumë, edhe pse kjo ka rëndësinë e vet.

Vjedhja në BSH është problem sistemi dhe ky sistem është ngritur dhe ka funksionuar me dijeninë dhe bekimin e Kryeministrit. Ai krijoi një superguvernator, i cili i ka shërbyer me para dhe me përfitime të tjera. Asnjë prokuror nuk do të guxonte të mos e thoshte këtë, gjithnjë nëse hetimi fillon! Berisha e di mirë. Ndaj nxiton të bëjë rrëmujë vendin. Ka një muaj që ushtarët e tij politikë i ka vënë në rresht për të zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga ky skandal me bujë historike, drejt… rrahjes së deputetëve.

I gjithë problemi qëndron tek opinioni! Berisha ia njeh forcën, pasi e ka përdorur sipas interesave të tij edhe në ’98-n, por tani ky opinion duket jo fort i manipulueshëm. Rrjetet sociale e kanë bërë punën e tyre për ta mbajtur në rend të ditës këtë skandal. Populli e ka nuhatur të keqen dhe vlen apo nuk vlen juridikisht ai po mbledh firma për largimin e Fullanit. Kjo do të thotë se nuk po e ha më “sapunin për djathë”. Ndaj duhet diçka më e “sofistikuar” që opinioni publik të spostojë vëmendjen nga Banka…

Së pari, shpresa e tij më e madhe është Presidenti. Sa kohë që do të jetë në këtë detyrë z. Nishani është praktikisht i “detyruar” t’i shërbejë me përulësi Berishës, pavarësisht se bëhet në ndonjë rast edhe qesharak. Por realisht ai ka shpallur krizën institucionale në vend! Hapur, me naivitetin e një fëmije që ka bërë faj dhe detyrohet ta ndreqë atë në mënyra banale, përdori rrjetin facebook për t’i shpallur “luftë” Kryeministrit.

Shkaku si gjithnjë është “thembra e Akilit”: Drejtësia! Mund të mjaftohej me një kthim të ligjit mbi “Magjistraturën” në Parlament. Dhe këtu nuk ka asgjë që nuk shkon. Por jo! Ai detyrimisht duhej të shpallte “luftën” haptas, që media të merrej me të dhe jo me tjetër gjë! Kjo “luftë ”, tani për tani virtuale, në shtator do të mund të sjellë vërtetë kriza institucionale që do kërkojnë vendimmarrje të forta për mazhorancën parlamentare.

Së dyti, LSI është “fisheku” i fundit që mund të aktivizojë Berisha në arritjen e synimeve të tij. Pas një heshtjeje të prishur dy a tri herë nga ndonjë fluskë e hedhur si personalisht, z. Braho del në Konferencë për shtyp, i qartë në atë që kërkon: Dorëheqjen e disave me synim destabilizim ose në rastin më të pafavorshëm, në zëvendësimin e atyre që mund të hapin problem me ata që LSI i propozon nga “poshtë tryezës”. Në këtë mënyrë, skandali mbahet nën kontroll dhe mbahet nën kontroll dhe qeveria.

Me pamjen e njeriut të detyruar për të bërë detyrën, z.Braho faktikisht na përcolli një sinjal: Fullani s’ka përgjegjësi dhe ju o njerëz qepeni gojën e mos u merrni më me këtë. A i intereson LSI-së zbardhja e çështjes “Fullani”? Sigurisht jo! Madje është një shantazh i përditshëm që Berisha mund ta përdorë mbi Metën dhe ky i fundit nuk ka rrugëzgjidhje tjetër përveçse të krijojë turbullira në trajtimin e kësaj çështjeje. Por kjo nuk mund të mos na çojë të mendojmë se shantazhi do të rritet dhe LSI do “detyrohet” të bëjë lojën e Berishës.

Realisht rripi i politikës po shtrëngohet dhe shtatori do ta vërë qeverinë përballë situatave nga më të ndryshmet. Berisha po përgatit të “rinjtë” e PD që do duhet të dalin në rrugë, sepse u janë mbyllur universitetet e tyre! (Berisha edhe për këtë krim që i ka bërë të ardhmes, duhet dënuar). Po përgatit të hedhë në veprim “besnikët” e tij në administratën publike, që të minojnë çdo reformë dhe të krijojnë pakënaqësi popullore, po përgatit komunarët e tij, që u bënë zotër të trojeve dhe pashallarë në supet e popullit, për të kundërshtuar reformën territoriale.

Shtatori me siguri do ta nxjerrë Berishën nga gjendja e njeriut të politikës që i vjen keq për të ardhmen e vendit, në njeriun e dhunës që shkatërron gjithçka për interesat e veta. Nuk ka kohë për të pritur, ka kohë për të vepruar dhe çadrat e ngritura për të firmosur kundër Fullanit janë shpresa jonë! Vetëm në këtë mënyrë politika mund të tërhiqet qoftë edhe për pak!

Top Channel