Këshilli i “milionerëve” të Bankës

15/08/2014 00:00

Anëtarët e Këshillit Mbikqyrës në Bankën e Shqipërisë mund të kenë karriera të ndryshme profesionale, bindje dhe prejardhje të ndryshme politike, por të gjithë ndajnë një të përbashkët; ata janë personat më të mirëpaguar në sektorin publik.

I pari është Dhori Kule. Në deklaratën e tij të pasurisë për vitin 2012, zoti Kule liston 9 paga nga 9 institucione të ndryshme dhe që të gjitha publike, si anëtar bordesh apo këshillash, një statistikë, që profesorit të ekonomisë do ja kishin zili edhe emrat më autoritarë të kësaj fushe në rang botëror.

Sipas deklaratës në vitin 2012, këto paga i kanë siguruar zotit Kule në total rreth 55 mijë dollarë të ardhura, ose 10 herë më shumë se sa paga mesatare vjetore e një nëpunësi publik. Por ai nuk është i vetëm. Kolegja e tij në Këshill, njëkohësisht zv.Guvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Elisabeta Gjoni përfiton edhe më shumë. Saktësisht 68 mijë dollarë në vit, të gjitha nga sektori publik i një vendi ku të ardhurat mesatare për frymë janë vetëm 4 mijë dollarë në vit. 

Në radhë vjen Elivar Golemi, Inspektorja e Përgjithshme e cila ka për detyrë auditin dhe kontrollin financiar të bankës, për të mos lejuar vjedhjet. Për këtë punë zonja Golemi paguhet nga Banka e Shqipërisë 50 mijë dollarë në vit. Anëtarja tjetër, Ermelinda Meksi përfiton 37 mijë dollarë në vit nga institucionet publike, si pagë nga Banka Qëndrore, Universiteti i Tiranës dhe pensioni suplementar që i buron nga puna si ish-deputete.

Ardian Civici dhe Ela Golemi paguhen respektivisht me 22 mijë dhe 27 mijë dollarë nga sektori publik, ndërsa Petraq Milo në vitin 2013 po ashtu përfitoi 38 mijë dollarë nga puna në bankë dhe në Kryeministri. 

Në fund është kryetari i Këshillit. Guvernatori Ardian Fullani është njeriu më i mirëpaguar nga sektori publik në Shqipëri. Në vitin 2013 paga dhe shpërblimet në Bankën e Shqipërisë i kanë siguruar atij mbi 90 mijë dollarë të ardhura, përkatësisht 7500 dollarë në muaj.  Për një anëtar të thjeshtë në Këshillin Mbikqyrës paga është 20 mijë e 500 dollarë në vit, për t’u mbledhur vetëm një ose dy herë në muaj nga disa orë.

Të gjitha shifrat e mësipërme bazohen në vetëdeklarimet që anëtarët e Këshillit kanë bërë në Inspektoriatin e Kontrollit dhe deklarimit të pasurive. Top Channel ka publikuar nga to vetëm shifrat e të ardhurave që burojnë nga sektori publik, ndërkohë që shumica dërrmuese e anëtarëve të Këshillit kanë dhjetëra mijë dollarë të tjerë të ardhura nga puna në privat, një statistikë që padyshim i vendos ata në krye të listës së milionerëve të sektorit publik.  

Top Channel