Rruga e re Laç-Milot

09/08/2014 00:00

Zv.Kryeministri Niko Peleshi ishte në qytetin e Laçit për të përururar përfundimin e rrugës që lidh Laçin me Milotin, por ky ishte një rast që numri dy i qeverisë të përqendrohej tek ndikimi që do të ketë ndarja e re territoriale për rritjen e kapacitetit të pushtetit lokal, zhvillimit të zonës përkatëse dhe shërbimin ndaj qytetarëve.

“Ne kemi ardhur edhe për të parë rrugën e përfunduar, që është një rrugë e rëndësishme që lidh Milotin me Laçin, por edhe për t’ju thënë që nuk duhet të mjaftohemi vetëm me rrugën, por duhet të bëjmë një plan për bashkinë e re, për bashkinë e zgjeruar.  Unë vi vetë nga pushteti vendor. Kam qenë vetë kryetar bashkie dhe e di se çdo të thotë të rriten kufijtë administrativë të bashkisë, të fuqizohet buxheti, të rritet mundësia dhe aftësia për të projektuar në një anë, por edhe për të investuar nga ana tjetër”, deklaroi Peleshi.

Një nga shqetësimet më të medha të pushtetit lokal është furnizimi me ujë i qytetarëve dhe sipas zv.Kryeministrit reforma territoriale ofron zgjidhje për këtë problem të trashëguar ndër vite.

“Problemi i ujësjellësve është madje edhe më dramatik se sa problemi i energjisë elektrike. Reforma territoriale edhe në këtë aspekt do të ndihmojë shumë. Nuk do të kemi më borde, përfaqësi komunash, të cilat nuk e shikojnë ujësjellësin si një ndërmarje jetike për t’u menaxhuar, por shohin se kush do të jetë drejtori dhe kë do marrë në punë. Duke krijuar tani bashki të mëdha edhe ndërmarrjet e vogla të ujësjellësve do të fillojnë të grupohen, të integrohen njëra me tjetrën, do të ulin shpenzimet administrative, do të përmirësojnë performancën dhe besoj që reforma do t’i prekë shumë pozitivisht”, tha ai.

Top Channel