Misteri i Thesarit të vjedhur

09/08/2014 00:00

Edhe pse të dyja herët që është pyetur nga Prokuroria Ardian Bitraj ka pohuar se i ka lënë në lojërat e fatit në rrugën Fortuzi të 713 milionë lekët e Bankës së Shqipërisë, Prokuroria thotë se ekonomisti nën hetim nuk është i sinqertë dhe me shumë mundësi ai genjen.

Ne dyshojmë, tha për Top Channel një burim konfidencial, se Bitraj e ka ndërtuar rrëfimin e tij me tepër për të patur një alibi të mirëmenduar në mënyrë që t’i fshehë hetimit se çfarë ka ndodhur më tej me lekët e përfituara nga Departamenti i Emisionit, ashtu sikundër faktit që 45-vjeçari vijon të përjashtojë se ka patur bashkëpunëtore në këtë histori.

Nga verifikimet e deritanishme të katër kompanive të bllokuara në lagjen Fortuzi, kompani të lojërave të fatit që janë përmendur nga Bitraj, burimet thonë se Bitraj nuk ka shpenzuar tek ato më tepër se 300 mijë euro, ndërkohë që shuma është 713 milionë lekë.

Edhe pse të dhënat tregojnë se Bitraj ka qenë një lojtar i lojërave të fatit Prokuroria këmbëngul se provat e deritanishme i rrëzojnë të gjitha dyshimet se ai i ka përfituar i vetëm të gjitha leket e vjedhura prej tij.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet paraprakisht se dy nga bashkëpuntorët më të afërt të Bitrajt kanë qenë nipi i tij Klevis Bejtjaj, Mimoza Bruzja dhe ish-Drejtori i Degës së Thesarit, Dorian Çollaku.

Lënia e Departamentit të Thesarit në atë gjendje pa rregullore dhe aq më tepër pa kasafortë ka shumë mundësi, thotë Prokuroria, të ketë ndodhur qëllimisht dhe jo nga neglizhenca apo paaftësia.

Aktualisht Ardian Bitraj ndodhet tashmë në burgun 302 dhe me kërkesë të organit të hetimit autoriteteve të burgjeve u ndalohet që të lejojnë avokatin apo familjarët e tij për ta takuar.

Ndërkohë që numri i personave që do t’i nënshtrohen hetimit pasuror janë të 70 persona që të gjitha ata prindër, bashkëshortë e bashkeshorte si edhe vëllezër e motra deri tek kunetërit e 10 të arrestuarve të deritanishëm.

Por, thotë Prokuroria, në rrugë jozyrtare ende nuk ka një përgjigjje nga institucionet përkatëse sikurse hipotekat, bankat e nivelit të dytë, ALUIZNI dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive që të pasqyrojë llogaritë bankare dhe asetet pasurore të secilit.

Kjo vonesë ndoshta vjen për shkak të pushimeve verore, megjithatë organi hetimit shpreson se në shtator ata do t’i ketë në dispozicion raportet përkatëse.

Top Channel